×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Kryeministër, a do të gjymtohet tani Kosova me formimin e “Zajednicës”?

    Reporteri
    02 Shkurt 2023 | 13:31

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e sotme para deputetëve në Kuvendin e Kosovës u shfaq i “zbutur” lidhur me qëndrimin e tij për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Nga opozita, kreut të ekzekutivit iu theksua se ai ka bërë një kthesë dhe ndryshim drastik sa i përket qëndrimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Kryeministri i vendit ditën e sotme e mori në konsideratë Asociacionin, derisa numëroi edhe 6 kushte që Kosova të veprojë në drejtim të themelimit të tij.

    “1.Asociacioni duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës,
    2.Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërroj emrin, duhet t’i shpërbej vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave,
    3.Të drejtat e pakicave kombëtare dhe makinizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane,
    4.Para vendosjes se Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ileagave,
    5.Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke, dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës,
    6.Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet e BE-së dhe të tjerët për mos pranimin e aplikimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ishin kushtet që Kurti numëroi para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

    Por, vite më parë, në vitin 2015, kreu i Qeverisë, atë kohë shef i opozitës, e cilësonte se formimi i “Zajednicës” do e gjymtonte shtetësinë e Kosovës.

    Madje ai theksonte se me “Zajednicë”, Forcat e Armatosura të Kosovës nuk mund të jenë të Kosovës edhe nëse ato janë Forca të Armatosura.

    “Pa u tërhequr nënshkrimi nga ‘Zajednica’ e Mustafës me Serbinë e Vuçiqit, nuk mund të ketë as Kuvend e as Kuvend të Republikës. Neve na gjymtohet shtetësia me atë ‘Zajednicë’ dhe parakusht që Kuvendi i Republikës të jetë përnjëmend qysh e ka emrin është që paraprakisht të tërhiqet nënshkrimi i tillë dhe të krijohen kushtet që në një shteg të ri, në një orientim të ri, të përparojmë edhe sa i përket demokratizimit e drejtësisë edhe sa i përket zhvillimit të mbrojtjes e sigurisë, përkatësisht Forcave të Armatosura të Kosovës. Me ‘Zajednicë’ në Kosovë, Forcat e Armatosura të Kosovës nuk mund të jenë të Kosovës edhe nëse ato janë Forca të Armatosura”, kishte thënë Kurti në vitin 2015 në një intervistë dhënë për Kosovapress.

    “Zajednicën” Kryeministri i tanishëm, atë kohë në cilësinë e Kryetarit të VV-së, po e cilësonte si rrezikun më të madh për Kosovën.

    Gjithashtu, thoshte se “Zajednica” shkatërron të gjitha rregulloret, poashtu Kushtetutën dhe vetë Republikën e Kosovës.

    “Nuk ka rrezik më të madh në Kosovë sesa ‘Zajednica’. Pra, ne nuk bëjmë kalkulime të tilla. Jemi të vendosur në atë që e mendojmë për të vërtetë dhe besojmë që është e drejtë. Ky është kundërshtimi jonë për ‘Zajednicën’. Nuk mund të ketë as rregullore të Kuvendit, as Kuvend të Republikës, nëse ka ‘Zajednicë’. ‘Zajednica’ t’i shkatërron krejt rregulloret, ta shkatërron Kushtetutën, ligjshmërinë dhe vetë Republikën që e shpallën si të pavarur para 7 vite e gjysmë. Le ta bëjë ai një gjë të tillë dhe do t’i sheh edhe veprimet tona”, kishte thënë Kurti.

    Në anën tjetër, ShBA dhe BE vazhdimisht po bëjnë thirrje që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet sa më shpejt të jetë e mundur. /Reporteri.net/. 

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!