Heshtja ka kapluar nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani. Derisa partia e saj ka nënshkruar marrëveshje me disa subjekte politike, për ta krijuar Qeverinë e re me kryeministër, Avdullah Hotin, ajo nuk ka folur, por ka shoqëruar para dy dite, kryeministrin ne detyrë dhe kreun e VV-së, Albin Kurti në disa homazhe për të pagjeturit, shkruan Reporteri.
Osmani ishte shprehur kundër kësaj çfarë po bën partia e saj. Madje kishte shkëmbyer akuza të rënda më kolegët e saj, Agim Veliun në veçanti por edhe me tani kandidatin për kryeministër. Kishte thënë se deklaratat e tyre nëpër media, për raportet me Amerikën kishin dëmtuar ‘Qeverinë e Shpresës’, shkruan Reporteri.
Ka një kohë që Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre në zgjedhjet e fundit, nuk është mirë më partinë edhe sa. Edhe në zgjedhjet e vitit 2017, kur Hoti kishte garuar dhe dalë i treti, Vjosa Osmani ishte pajtuar si me zor me partinë e saj. Ndonëse kishte akuza të renda për Isa Mustafën dhe disa të tjerë, fliste mirë për Avdullah Hotin.
“Po sikur ky të ishte një vend normal evropian, një vend normal i zhvilluar do të ishte normale një kandidaturë e tillë. Unë mendoj që ka ardhë momenti që ne të pranojmë, të votojmë dhe të përkrahim pikërisht kandidatura që e tregojnë Kosovën si një vend evropian që e ka shansën për t’u zhvilluar. Nuk e di a ka portretizim më të mirë për Avdullah Hotin se sa kjo. Avdullah Hoti është një prej njerëzve më punëtorë me të cilët kam punuar deri tani, jashtëzakonisht bashkëpunues”, kishte thënë ajo në një intervistë për Rrokum TV në muajin maj në vitin 2017.
Seanca për zgjedhjen e Qeverisë do të tregojë nëse ajo ka ndryshuar mendim, apo mendimin e ka ruajtur por nuk do ta votojë Hotin për Kryeministër për shkak të partive në koalicion. Veç pse kishte koalicion me PDK-në, ajo nuk e kishte votuar Isa Mustafën për Kryeministër në vitin 2014./Reporteri