Ka filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ku pritet të shqyrtohen një numër i madh i pikave të rendit të ditës.
Deputetët kanë nisur të shqyrtojnë projektligjet që kanë të bëjnë me ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, ku kryeministri Avdullah Hoti është përplasur me PDK-në.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur se nuk mund të votojnë pro marrëveshjes financiare të Kosovës për marrëveshjen për kredi nga institucionet ndërkombëtare prej 22 milionë.
Krasniqi ia ka përmendur LDK-së dhe Vetëvendosjes bllokimet në Kuvendin e Kosovës kur PDK ishte në qeveri së bashku me AAK-në dhe Nisman.
Ai ka thënë se këto marrëveshje nuk janë më të rëndësishme se mirëqenia e qytetarëve e cila nuk po duket si prioritet i qeverisë Hoti, shkruan Reporteri.net.
“Ishit ju që me interpretime teknike e duke pasur mendjen te pushteti, penguar procedimin e këtyre ligjeve dhe për shkak të juaj, edhe tani sa muaj pas shpalljes së pandemisë qytetarët s’kanë pranuar ndihmë nga qeveria dhe në vend se t’i sillni këto ligje për t’i votuar këtu, po merrni me tema që nuk janë shumë urgjente, sesa ndihmat për qytetarët tanë dhe bizneset. Cilat janë prioritetet e juaja z.kryeministër? Sot po vërtetohet ajo që po themi qe sa kohë, se kjo qeveri edhe ajo që u shkarkua janë dy anë të së njëjtës monedhë, sepse qasja e tyre ndaj këtyre marrëveshjeve për qytetarët ka qenë e njëjtë. Mirë që kanë ardhur këto marrëveshje, por prioritetet e qeverisë duhet të jenë tjera. Nuk kemi votë për qeverinë e mashtrimit 2.0, ju duhet të sillni ligje që ndihmojnë qytetarët”, tha Krasniqi.
Kryeministri Avdullah Hoti i është përgjigjur kritikave të Krasniqit, se asnjëherë nuk ka ndodhur që në këtë kuvend kur janë kërkuar që me 2/3 e votave të miratohet ndonjë marrëveshje të mos jetë votuar nga opozita.
“Unë ju ftoj të votoni këto marrëveshje sepse këto marrëveshje mundësojnë realizimin në praktik të pakos ekonomike. Në fondin prej 384 milionë eurove që janë për rimëkëmbje ekonomike, një pjesë e konsiderueshme e fondit mbulohet edhe nga këto marrëveshje. Unë besoj që në këtë kuvend kanë pasur mirëkuptim dhe janë votuar edhe nga pozita edhe nga opozita këto marrëveshje”, tha Hoti.
Hoti tha se LDK ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për marrëveshjet ndërkombëtare.
Reagoi Krasniqi ku tha se LDK kishte votuar marrëveshje milionëshe vetëm pas presionit të Zyrës së BE-së dhe euro-deputetëve.
“Unë edhe ti s’harrojmë. Është e vërtetë që njëherë keni thirr seancë, a e dini pse, pasi 5-6 seanca s’keni votuar seanca ndërkombëtare. Po kanë ardhur disa deputetë të Parlamentit Evropian , e jo për hatër të qytetarëve. Por presionit që keni marrë nga zyra e BE-së. Herën e parë kur keni votuar keni thënë se ‘Nuk po sillet mirë kryetari i Kuvendit, s’votojmë marrëveshje ndërkombëtare’. Ditën kur është shpërbë kuvendi, i kemi votuar dy marrëveshje të IPA-së”, ka deklaruar ai.
Por kryeministri Hoti reagoi sërish duke thënë se asnjë marrëveshje në Parlamentin e kaluar nuk ka mbetur pa u votuar për mungesë të votave.
Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e vendit tonë në Programin e Bashkimit “Dogana 2020” dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes BE-Kosovë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së “Fiskalis 2020”, janë marrëveshjet që po shqyrtohen sot nga Kuvendi i Kosovës. /Reporteri.net/.