×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Kryeministri izraelit sot pritet t’i drejtohet me një mesazh popullit të Kosovës

    Reporteri
    15 Shtator 2020 | 8:00

    Gati dy javë pas takimit dhe marrëveshjes së Washingtonit, në të cilën u përfshi edhe njohja mes Kosovës e Izraelit dhe vendosja e ambasadës së shtetit kosovar në Jerusalem, kryeministri Benjamin Netanyahu, do t’i drejtohet popullit të Kosovës me anë të një video-mesazhi.


    Organizimi do të mbahet sot me rastin e “Rosh Hashanah”, festë e njohur si “Viti i ri Hebraik”, shkruan Reporteri.net.

    Video-mesazhi i Netanyahut, për popullin e Kosovës dhe komunitetin hebraik në Kosovë, do të shfaqet në një ceremoni festive të Vitit të Ri Hebraik organizuar nga Kryerabinati i Shqipërisë.

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka siguruar edhe agjendën e paraparë nga organizatorët, ku përveç video-mesazhit, gjatë ceremonisë mund të ketë edhe një lidhje direkte me kreun e qeverisë izraelite, Netanyahun.

    Në këtë ceremoni do të jenë të ftuar edhe krerët e shtetit, Presidenti Hashim Thaçi, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Avdullah Hoti. Ky i fundit, një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit e ka zhvilluar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në prani të Presidentit amerikan Donald Trump.

    Gjatë asaj bisede, me anë të së cilës u njoftua mes dy kryeministrave vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, Kryeministri Hoti i konfirmoi Kryeministrit Netanyahu edhe për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Lajmin për këtë e shpalli edhe vetë presidenti amerikan, me anë të një cicërime në Twitter, disa minuta pas takimit.

    E gjitha ndodhi si pjesë e marrëveshjeve që Kosova e Serbia, ndaras, nënshkruan me SHBA-të, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, në prani të presidentit Trump, për normalizim ekonomik mes të dy vendeve, shkruan Reporteri.net.

    Në marrëveshje përveç njohjes mes Kosovës e Izraelit dhe vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, gjithashtu u përfshi edhe vendosja e ambasadës së Serbisë në qytetin e kontestuar të Izraelit.

    Ndryshe, në eventin e të martës i pranishëm do të jetë edhe Kryerabini i Shqipërisë, Yowl Kaplan, që njëherit është edhe organizator i këtij eventi në kryeqytetin kosovar. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!