×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeprokurori i Shtetit arrestimin e “Grupit të Currit” e mori vesh nga mediat

    Reporteri
    23 Maj 2019 | 10:20

    Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, arrestimin e grupit të dyshuar për fajde, detyrim e mashtrim e ka mësuar në të njëjtën kohë me mediat.


    Edhe pse Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se hetimi ndaj këtij grupi është duke u zhvilluar qe një kohë të gjatë, Lumezi pohon se nuk ka qenë fare në dijeni as për hetimin ku është i përfshirë Ismet Osmani-Curri e as për aksionin për arrestimin e grupit të dyshuar, raporton “Koha Ditore”.

    Një burim brenda organeve të hetuesisë i ka thënë gazetës se ky rast është mbajtur qëllimshëm fshehur nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak të frikës që mund të rrjedhin informata. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka pranuar se nuk ka qenë i njoftuar për këtë rast. Fillimisht kur është pyetur nga gazeta, Lumezi ka thënë se vetë ai e ka iniciuar hetimin.

    “Unë e di për këtë hetim prej ditës së parë…mandej rasti është transferuar në Prokurorinë e Ferizajt”, ka thënë ai shkurt.Kur gazeta ia ka sqaruar se nuk është rasti i njëjtë dhe e ka pyetur nëse e ka ditur se “Grupi i Currit” do të arrestohej, ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni.“Nuk kam qenë i njoftuar”, ka thënë ai.Kjo pasi që, sipas tij, në të tilla raste prokurori dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore nuk e kanë obligim që ta njoftojnë kryeprokurorin e Shtetit.

    Megjithatë Lumezi ka qenë i njoftuar me rastin e Rrahim Hashimit dhe hetimit kundër tij në Ferizaj. Në shumë raste të hetimeve Lumezi është deklaruar në media edhe në kohën sa ato kanë qenë në fazën e mbledhjes së informatave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!