Kryeshefi i sharkuar i KEK-ut, Nagip Krasniqi ka shkruar një letër lamtumirëse në rrjetin social LinkedIn që njihet për postimet e përdoruesve vetëm për sukseset e tyre në punë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Postimin e ka shkruar në gjuhën angleze dhe ka thënë se ka menduar gjatë për ta shkruar. Mirëpo në këtë letër lamtumirës është mburrur se ka arritur që KEK-un ka arritur ta kthejë nga një organizatë bamirëse shtetërore në një kompani me qeverisje dhe menaxhim të mirë.
Ai ka shkruar se më 23 prill i ka ardhur fundi rrugëtimit, të cilin e ka quajtur të turbullt, dinamik dhe me probleme me KEK-un. Mirëpo në këtë postim nuk ka treguar se është shkarkuar.
“Ndoshta nuk ka qenë mënyra më e mirë të ndodhte, por…kjo është jeta. Shumë ulje dhe ngritje, befasi, kohë të vështira, djers, net pa gjumë… por edhe momente krenarie, kënaqësie dhe përmbajtjeje. Gjatë rrugëtimit tim kam njoftua njerëz të mrekullueshëm, liderë frymëzues dhe punëtorë që kanë dhënë gjithçka për kompaninë”, ka shkruar ai veç të tjerash.
Ai ka shkruar se bashkë me këta punëtorë ka arritur ta transformojë KEK-un nga organizatë bamirëse shtetërore në kompani komerciale.
“Nuk patëm sukses plotësisht në objektivin përfundimtar. Kemi humbur beteja kyç gjatë rrugëtimit, kemi humbur njerëz të mirë, dështuam të fitojmë… dhe këto janë shijet e hidhura që i mora me vete. Por lash pas gjurmë të mira dhe rrënjë të ideve dhe koncepteve se ndryshimi dhe transformimi është i mundur”, ka shkruar ai.
Krasniqi është arrestuar më 19 prill të vitit të kaluar, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.
Ndërkohë në shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga paraburgimi ish-kryeshefin e KEK-ut të akuzuar për korrupsion, Nagip Krasniqin.
Sipas vendimit të Gjykatës, Krasniqit i ndalohet të afrohet objektit të KEK-ut apo të punësuarve në këtë korporatë. Vendimi thotë se i njëjti duhet të mbajë 50 metra distancë.