×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeshefi i Telekomit nuk shkon për raportim në Kuvend, deputetët përplasen mes vete

    Reporteri
    02 Prill 2019 | 19:56

    Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi nuk e mori mundin të shkonte deri në Kuvendin e Kosovës, ku ishte ftuar të raportonte për letrën e 15 marsit me të cilën kishte kërcënuar të gjithë punëtorët e ndërmarrjes se do t’i nënshtroheshin Komisionit Disiplinor dhe ndjekjes penale, nëse vërtetohet se kanë nxjerrë dokumente në publik.


    Kryetarja e komisionit, Albuena Haxhiu, ka thënë se përmes një njoftim të shkurtër, Istrefi vetëm ka thënë se të martën ka punë të tjera dhe se nuk mund të vijë në Komision.

    Haxhiu ka sqaruar se Istrefi me veprimin e tij kishte shkelur ligjin për sinjalizuesit.

    Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, e ka cilësuar të panevojshëm takimin, pasi sipas tij, letra s’është shkelje e ligjit për sinjalizuesit, por kërkesë për respektimin e rregullores së ndërmarrjes dhe mosnxjerrjes së dokumenteve konfidenciale, raporton KTV.

    Kjo ka përplasur atë dhe anëtarë të tjerë të Komisionit.

    Debat i ashpër është zhvilluar mes deputetëve te pushtetit dhe opozitës për punësimin e militantëve partiakë në ndërmarrje.

    Sidoqoftë, Komisioni ka vendosur ta thërrasë sërish në raportim Bedri Istrefin, e po ashtu, një raportim të detajuar pritet që në këtë Komision ta bëjë javën e ardhshme edhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, i cili është duke e hartuar një raport për hetimin e nepotizmit në Telekom.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!