Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesër dhe në agjendë ka një varg pikash që ndërlidhen edhe me coronavirusin por edhe projektligje të mbetura pa shqyrtuar, shkruan Reporteri.
Një projektligj që moti është diskutuar se do të shkojë në Kuvend, do të diskutohet nesër në Mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, që do të mbahet në ora 11:00.
Përveç shumë pikave të tjera që do të diskutohen nesër në këtë mbledhje, Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka hyrë në agjendë, mëson Reporteri nga burimet brenda Kryesisë.
Një projektligj i tillë është iniciuar nga ish Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Dy vite më parë ai kishte njoftuar edhe për disa nga pikat që përmban ky projektligj.
“Në prag të shënimit të 19 vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë, sot inicova Draft Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen institucionale të luftës sonë, të përcaktojë monumentin qendror që i mungon vendit tonë, si dhe do të nisë themelimin e muzeut të luftës së popullit tonë për çlirim. Po ashtu, me miratimin e këtij ligji do të përcaktohej një datë e veçantë për ta përkujtuar sakrificën e popullit tonë për lirinë, ndër dekada e shekuj, ashtu siç është praktikë në shumë vende”, kishte shkruar ai në Facebook.
Një ligj të tillë e kanë kërkuar tash e sa kohë edhe organizatat e dala nga lufta e UCK-së. /Reporteri