Dhjetra kryetarë komunash të Kosovës, kryesues të asambleve, aktivistë të shoqërisë civile e media kanë diskutuar gjatë javës në Prishtinë në kuadër të Samitit për praktikat më të mira të pjesëmarrjes publike.
Të gjithë pa dallim a kanë vlerësuar lartë programin e USAID-it Kontrata Sociale që në fokus ka ndërlidhjen e qytetarëve me pushtetin lokal, duke bashkuar forcat për projekte në dobi të komunitetit.
Noel Bauer, Drejtori për Demokraci dhe Qeverisje i USAID në Kosovë ka thënë se qëllimi është të mos përfitojnë vetëm 15 komunat partnere, por edhe qytetarët drejtpërdrejt.
“Qëllimi ynë kolektiv nuk është vetëm të përfitojnë 15 komunat partnere por edhe qytetarët e Kosovës. Dhe kjo bëhet e mundur përmes një sërë inciativash të përbashkëta. Duke iu kthyer Samitit, është e rëndësishme që po ndajnë përvojat me të tjerët kryetarët dhe qytetarët e përfshirë direkt në këto iniciativa. USAID këtë vit po shënon 25 vjetorin e partneritetit dhe progresit në Kosovë. Është një moment unik për ne ta festojmë këtë rrugëtim bashkë me popullin e Kosovës dhe ta vazhdojmë bashkëpunimin për 25 vitet e ardhshme të progresit” ka thënë ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ai i Prizrenit, Shaqir Totaj, si dy komunat përfituese të para të programit Aktiviteti Kontrata Sociale kanë ndarë përvojat e tyre të drejtpërdrejta, duke e cilësuar të rëndësishme qasjen innovative të bashkëpunimit me qytetarët.
Të tjerët kryetarë si ai i Gjakovës, Ardian Gjini, i Gjilanit, Alban Hyseni, i Suharekës, Bali Muharremaj dhe i Obiliqit, Xhafer Gashi e kanë vlerësuar të rëndësishme përkrahjen veçmas në organizimin e buxhetimeve me pjesëmarrje, si një praktikë e re por që e vendos qytetarin në qendër të vendimmarjes.
Në panele të ndara, kanë diskutuar përfaqësues të shumtë komunash, gazetarë dhe grupe qytetarësh, disa prej të cilëve janë shpallur edhe qytetarët më aktiv në komunat e tyre.
Disa nga konkluzionet e Samitit janë:
Aktiviteti Kontrata Sociale ka qenë një program i domosdoshëm, sepse ka shërbyer si një platformë e rëndësishme për secilën komunë partnere, për kryetarët veç e veç dhe grupet e qytetarëve në përgjithësi.
Në shumë komuna janë thyer barrierat e mos-komunikimit të rregullt mes pushteteve lokale dhe qytetarëve. Aktiviteti Kontrata Sociale ka shërbyer si një platformë orientimi dhe tejkalimi të dallimeve të krijuara për shumë vite si pasojë e mungesës së besimit ndaj politikës.
Buxhetimi me pjesëmarrje – praktikë e re dhe inovative e forcimit të zërit të qytetarëve në vendimmarrje. Të gjithë kryetarët dhe panelistët konstatuan dhe u zotuan për të vazhduar me këtë praktikë dhe për ta rritur në vazhdimësi buxhetin komunal vjetor.
Një konkluzion tjetër i rëndësishëm është praktika e përzgjedhjes dhe ndarjes së mirënjohjeve për qytetarët aktivë dhe zyrtarët. Komunat e Gjilanit, Suharekës dhe Obiliqit kanë nisur suksesshëm me këto praktika, ndërdsa Komuna e Prizrenit ka miratuar rregulloren e re komunale për mirënjohjet publike, me mbështetje të Aktivitetit Kontrata Sociale.
Një aspekt i fundit, por jo më pak i rëndësishëm u theksua vazhdimësia e zbatimit të këtyre praktikave nga komunat e Kosovës edhe pas përfundimit të programit Aktiviteti Kontrata Sociale.