×
  • Lajme
  • Lajme / Konferenca e jashtëzakonshme

    AGK e shokuar për rangimin në indeksin e lirisë së shtypit: Klima e Qeverisë Kurti ka qenë vazhdimisht kundër mediave

    Reporteri
    02 Maj 2025 | 12:16

    Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, e ka cilësuar si rangim shokues renditjen e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit, ku ka rënë për 24 vende.

    Rexha tha se AGK e sheh këtë si relfketim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar dhe që ka qenë një fushatë vazhdimisht e njëjtë e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Reporteri.net.

    “Ky është një alarm i jashtëzakonshëm, është një rangim shokues që e lë Kosovën si vendin e fundit, më së keqi në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Rexha në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”.

    Ai tha se klima e Qeverisë Kurti ka qenë vazhdimisht kundër mediave dhe se kjo është vërtetuar edhe me Ligjin për KPM’në, që pastaj u rrëzua nga Kushtetuesja.

    Edhe në raport përmendet ky ligj, fushatat e vazhdueshme ndaj gazetarëve, ndërhyrja apo mungesa e pavarësisë së RTK’së, siguria e gazetarëve, rritja e padive SLAPP e të tjera.

    Rexha propozoi formimin e një task force për të adresuar gjetjet e këtij raporti, teksa shtoi se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë për këtë.

    Ndryshe, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

    Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

    Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian./Reporteri.net

    Rënia drastike e Kosovës në indeksin për lirinë e shtypit, krejt gishtin kah Kurti dhe VV’ja

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!