Shqiptimi i dënimeve me kusht ndaj të akuzuarve që po shpallen fajtorë për vepra penale të korrupsionit, sipas kryetarit të Gjykatës së Apelit, janë duke i stimuluar personat që të vazhdojnë të kryejnë vepra të tilla.
Një deklarim të tillë, Shala e dha të premten, në një konferencë për media ku e prezantoi punën e gjykatës që ai udhëheq.
“Unë konsideroj se të gjithë ata gjyqtarë dhe kolegje që kanë pasur këso raste, që shqiptojnë një dënim me kusht një person që ka kryer vepër penale, unë konsideroj se është shumë e gabuar dhe jo e drejtë, sepse në këtë formë jemi duke e stimuluar kryerjen e këtyre veprave penale që janë shumë-shumë të rrezikshme për shtetin tonë. Unë konsideroj se është si pjesë e kancerit të shtetit tonë”, tha Shala.
Siç tha Shala, edhe gjykata që ai udhëheq e bartë një pjesë të përgjegjësisë për këtë politikë të butë ndëshkimore në rastet e korrupsionit, pasi sipas tij, në rast se vërtetohet se një i akuzuar për korrupsion është shpallur fajtor, pavarësisht shumës së parave që është keqpërdorur, i njëjti duhet të dënohet me burg.
“Nuk ka gjykim me kusht kur gjykata e shkallës së parë apo ajo e dytë ka vërtetuar se i akuzuari ka kryer vepër penale pa marr parasysh se a është në pyetje 100 euro, 1000 apo 100 mijë, atij duhet t’i shqiptohet dënimi me burg sepse nëse i shqiptojmë dënim me kusht, ne jemi duke i stimuluar personat e akuzuar për të kryer një vepër të tillë”, deklaroi Shala.
Përkundër kësaj, Shala tha se kur kemi të bëjmë me lëndë të korrupsionit, nuk mund të gjykohet askush pa prova dhe se çdo person, i cili akuzohet, duhet që para gjykatës, prokurori të provojë se ai ka kryer veprën penale.Për rritjen e cilësisë dhe efikasitet në këtë drejtim, Shala tha se duhet të ngritet edhe vetëdija e qytetarëve dhe profesionalizmi tek hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit, pasi siç tha, kur kemi të bëjmë me lëndë të korrupsionit po ekziston një ngecje profesionale.
Shala e pranoi se janë disa raste në të cilat Gjykata Supreme ka konstatuar se instancat më të ulëta gjyqësore kanë shkelur ligjin, mirëpo për krejt këtë, Shala tha se është një lojë që është duke u bërë në sistemin e drejtësisë, pasi që vet gjyqtarët e Gjykatës Supreme, sipas tij, i kanë vlerësuar me nota maksimale gjyqtarët e Apelit, për aktgjykimet e të cilëve, Supremja kishte konstatuar se ka pasur shkelje.
Ndryshe, sa i përket punës së Gjykatës së Apelit gjatë vitit 2019, Shala tha se kanë arritur të bëjnë më të mirën e mundshme, pasi që tha se është hera e parë që kanë zgjidhur 17,600 lëndë apo 4000 më shumë se vitin paraprak.Puna ma e madhe në zgjidhjen e rasteve, sipas kryetarit Shala është bërë në Divizionin Civil të Gjykatës, ku tha se janë kryer 3000 lëndë më shumë se në vitin 2018.
Sa i përket rasteve të korrupsionit, Shala tha se gjatë vitit 2019, Apeli ka zgjidhur 88 lëndë, ndërsa i kanë mbetur pa zgjidhur edhe 19 lëndë tjera. Prej lëndëve të zgjidhura, 49 nga to tha se janë vërtetuar aktgjykimet e shkallës së parë, 26 janë kthyer në rigjykim, në dy raste janë ashpërsuar dënimet, kurse në katër tjera janë zbutur dënimet ndaj të akuzuarve.
Sa i përket Departamentit Special, i cili ka filluar punën në korrik të vitit të kaluar, Shala tha janë të angazhuar gjashtë gjyqtarë, të cilët deri më tani kanë zgjidhur 7 lëndë, ndërsa të pakryera ju kanë mbetur edhe 10 lëndë tjera.
Për zgjidhjen më të shpejtë të rasteve, Shala tha se Apeli ka të nevojë edhe për të paktën 10 gjyqtarë shtesë.
Sa i përket Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, Shala tha se vitin e kaluar kishte pasur probleme me numrin e vogël të lëndëve që janë zgjidhur nga gjyqtarët atje, për çka tha se ka reaguar duke i kërcënuar me një far forme se do t’i dërgojë në komision disiplinor, mirëpo tash tha se edhe atje, çështje është më e mirë. /BetimipërDrejtësi/.