Kryetari i ri i nëndegës së LDK-së në Mat, Sherif Vrajolli, ka akuzuar ish-kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashin, për dhunën e shfaqur në zgjedhjet e fundit nëpër nëndegë të LDK-së në Prishtinë.
Sipas Vrajollit, Abrashi po punon për interesa personale dhe në dëm të partisë.
“Ju ishit vetë dëshmitarë, se prezenca ishte e madhe mbi 320, në atë të parën kur është dashur komisioni kandidues këta ishin më pak, por nuk u pajtuan me votën. U numëruan, dolën mbi 230 diku delegatë ‘për’, e kundër ishin ata që kanë mbetur 60-70. Kështu që mospajtimet e tyre dolën prej kontrollit dhe nënkryetarin e goditën me grushte, u bë një përleshje. Mua më vjen keq. Këtu fajtor kryesor i këtyre, edhe i Kodrës së Trimave, edhe i Lagjes së Spitalit, edhe krejt, është Arban Abrashi me një grup, i cili nuk po ka mëshirë, sikur të mos ishte në LDK. Duhet t’u vije turp. Unë jam aktivist që 30 vjet dhe të kem pasoja, ndoshta edhe e kam thyer dorën, ky është turpi i LDK-së. Kisha apeluar që askush të mos lëndohet, se këta për interesa të vet është duke i bërë, nuk janë për interesa të qytetarëve, nuk janë për interesa të LDK-së”, ka thënë ai për KosovaPress.
Vrajolli, që u zgjodh kryetar i nëndegës së LDK-së në Mat pas përleshjes, ka thënë se ajo kishte nisur kur ishin propozuar dy emra për komisionin e punës.
“Filloi kur unë në komisionin e punës e propozova dr. Sali Krasniqin dhe Musli Mehën, të cilët janë aktivistë më të vjetër, mund të them në LDK edhe 260-270 ishin për dhe 60 kundër, u pa…nuk u pajtuan edhe rrethi i tij i madh e bëri këtë”, ka shtuar ai ai.
Pas shpërthimit të rrahjes, ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës, e cila ka shoqëruar në polici tre persona.
Siç raporton KP, Sherif Vrajolli është zgjedhur kryetar i kësaj nëndege pas përleshjes, ndërsa nënkryetar u zgjodh Kreshnik Hoxha.