×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryetari i PDK-së në Gjilan: Me Thaçin e nisëm rënien, Veseli s’është përgjegjës për humbjen e fundit

    Reporteri
    03 Nëntor 2019 | 17:37

    Mbrëmjen e 6 tetorit pas mbylljes së vendvotimeve, nga PDK-ja kishin paralajmëruar një konferencë për media në të cilën do të jepej kumti i fitores. Por rezultati i marrë në terren ia kishte ndryshuar agjendën Veselit.


    Nga selia e partisë, përkrahësit e PDK-së morën lajmin që partia e tyre do të shkojë në opozitë duke qenë se kishin dalë të tretët pas LVV-së dhe LDK-së.

    Por rënia e PDK-së sipas kreut të kësaj partie në Gjilan, Qemajl Mustafa, ka filluar qysh në kohën kur partia drejtohej nga Hashim Thaçi.

    Qemajl Mustafa thotë se Kadri Veseli s’është përgjegjës për humbjen e fundit pasi lideri i ri i PDK’së e kishte marrë partinë më 2014 në gjendje të keqe nga Hashim Thaçi.

    Ish-kryetari i Gjilanit thotë se edhe në zgjedhjet e parafundit, PDK-ja do të humbte nëse nuk do të bënte koalicion me AAK-në dhe NISMA-n.

    “Duhet të jemi shumë kritik. Kur e marrim PDK’në si subjekt, PDK’ja ka filluar më herët me ra dhe ky është mendim i imi personal, do të duhej me shku në opozitë në vitin 2014 dhe kësaj here PDK’ja do të kthehej fuqishëm në qeverisje, por nuk ka ndodh kjo, dhe do të shkojmë tash në opozitë”, ka thënë ai për  Express.

    Mustafa thotë se Veseli ka qenë i suksesshëm dhe që nuk mund t’i kërkohet përgjegjësi, pasi votat e marra më 6 tetor, sipas tij tregojnë se ka rritje në disa komuna dhe që PDK-ja tashmë është më mirë krahasuar me votat e marrë në zgjedhjet e 2014-ës dhe në zgjedhjet kur kishin bërë koalicionin me PAN-in.

    “Por unë jam shumë i sigurt që PDK’ja nuk ka nis me ra me Kadri Veselin dhe jam i sigurt që s’ka nisë. PDK është stabile pas këtyre zgjedhjeve dhe sigurisht edhe me u rritë. Rënia e PDK’së nisë gjatë mandatit të dytë prej vitit 2010 e pas, sepse ka pasur edhe shumë probleme, sepse atëherë kualifikuan ndërkombëtarët e vendorët që ka pasur vjedhje industriale të votave mes partive politike dhe kurrkush s’ndërmori asgjë”, ka shtuar tutje Mustafa.

    I pyetur nëse rënia e PDK’së ka nisur me Thaçin, Mustafa përgjigjet bindshëm.

    “Po..po, absolutisht po. Dhe ne nuk mund të fajësojmë Kadri Veselin”, thotë ai.

    Si faktor për rënien e partisë, Mustafa e sheh edhe faktin e të qëndruarit gjatë në pushtet, mos arritjen e përmbushjes së kërkesave të shumta të qytetarëve dhe për faktin se në syrin e opinionit publik është krijuar perceptimi për nivel të lartë të nepotizmit e korrupsionit.

    E për gjithë këto probleme të cilat e kanë zhvendosur PDK-në në vendin e tretë e në opozitë, Mustafa thotë se kanë bërë nga një analizë secila degë, dhe thotë që tashmë po presin nga krerët e partisë një lexim të kujdesshëm të analizave të hartuara nga degët.

    “Objekti i analizës ka qenë se sa kanë ndikuar faktorët lokal dhe qendror në rezultatin e zgjedhje, sa kemi funksionu tash, nën shtabet e shtabet nëpër degë e tjera, dhe i kemi qit krejt në letër dhe i kemi çu, dhe na presim që me i lexu kujdesshëm ato analiza. Kështu është zotuar kryetari, që e ka një ekip që merret me atë punë, dhe kanë me dalë me një analizë qendrore mandej”, ka deklaruar Mustafa.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!