Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka konfirmuar se në sulmin e sotëm në shkollën e mesme në Graz të Austrisë , ka mbetur e vdekur edhe një vajzë nga Kosova, për çka raportoi më herët Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka bërë me dije se e njëjta ishte me prejardhje nga Vitia.
“Me pikëlloi pa masë lajmi për humbjen tragjike të vajzës suaj Leas nga Komuna e jonë, e cila humbi jetën në sulmin e rëndë që ndodhi sot në qytetin e Grazit në Austri. Kjo ngjarje e rëndë na ka prekur të gjithëve thellësisht. Humbja e një jete të re, me ëndrra dhe shpresë për të ardhmen, është një plagë që lë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e secilit prej nesh”, ka shkruar Haliti.
Ndryshe, nga sulmi në shkollën e mesme “BORG Dreierschützengasse” në Graz të Austrisë kanë mbetur të vdekur 10 persona dhe 12 të tjerë janë plagosur.
Sipas raportimeve gjatë ditës nga mediat atje, sulmuesi dyshohet të ketë qenë një nxënës i kësaj shkolle, i cili më parë kishte pretenduar se ishte viktimë e ngacmimeve në shkollë.
Oficerët e policisë lokale në Graz konfirmuan se autori i krimit ishte një austriak 21-vjeçar.
Në konferencën e mbajtur për media nga policia, u konfirmaa se 21-vjeçari nuk njihej nga policia para sulmit të sotëm.
Policia tha se ai zotëronte ligjërisht dy armët e zjarrit të përdorura në sulm dhe gjithashtu kishte një leje për armëmbajtje.
Sulmuesi kishte qëlluar në dy klasa dhe më pas është gjetur i vdekur në një nga tualetet, gjë që është konfirmuar edhe zyrtarisht nga kryetarja e bashkisë, Elke Kahr./Reporteri.net/