×
  • Lajme
  • Lajme

    Kthehet në rigjykim rasti ndaj kryetarit të Klinës i akuzuar për konflikt interesi

    Reporteri
    28 Prill 2021 | 14:08

    Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, i cili ishte dënuar në shkallë të parë me 4 mijë euro gjobë për konflikt interesi.


    Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga Gjykata e Apelit.

    “Gjykata e Apelit, me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të akuzuarit Z.E. por edhe sipas detyrës zyrtare, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 25.01.2021. Rasti i është kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në komunikatë.

    I pandehuri Z.E., që është kryetar i Komunës së Klinës, është gjykuar muaj më parë, nga ana e gjykatës së shkallës së parë, me dënim më gjobë, në shumën prej katër mijë (4,000) euro, pasi që është gjetur fajtor për veprën penale “Konflikti i interesit” nga neni 424 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Gjykata e Apelit, ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë duhet anuluar, ngase i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke qenë se nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 370 par.7 lidhur me nenin 365 të Kodit të Procedurës Penale.

    Kjo pasi që dispozitivi është në kontradiktë me arsyet e theksuara, në pjesën arsyetuese të aktgjykimit, njëkohësisht mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa, ato që janë dhënë, nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e tjera në lëndë. Po ashtu gjykata gjeti se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë, prandaj edhe vendosi që lënda të kthehet në rigjykim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!