×
  • Lajme
  • Lajme / Rigjykimi

    Nis rigjykimi ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin e mbi 2 mijë bimëve narkotikë e 32 kg marihuanë

    Reporteri
    11 Mars 2025 | 10:27

    Ka nisur seanca fillestare pas kthimit në rigjykim të rastit ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin e mbi 2 mijë bimëve narkotike e 32 kg marihuanë.

    Gjykata e Apelit javën e kaluar kishte anuluar vendimin e Themelores në Prishtinë, kundër Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci, lidhur me kultivimin e 2059 bimëve të llojit kanabis sativa, si dhe 32 kilogramëve substanca tjera të narkotikëve, duke e kthyer rastin në rigjykim.

    Me 2 maj 2024, Departamenti Special në Prishtinë kishte shpallur fajtorë të akuzuarit duke i dënuar me 28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Fethi Uygur i nacionalitetit turk, Alajdin Ramadani e Eroll Marku, shqiptarë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Filip Mishevski, po ashtu nga Maqedoni e Veriut, sikurse edhe boshnjaku Ertan Dacic dhe Alban Maloku e Milazim Voci shtetas të Republikës së Kosovës, janë personat që po dyshohen për kultivim të substancave narkotike.

    Ndaj tyre, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në nëntor 2022, kishte ngritur aktakuzë për krim të organizuar, me pretendimin se që nga koha e pacaktuar e deri më 16 shkurt 2022, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e Fethi Uygur, kanë kultivuar hashash në laboratorin brenda objektit Mulliri “Voci 1”, në fshatin Shirokë, të komunës së Suharekës.

    Substancat narkotike, sipas Prokurorisë Speciale në aktakuzën e ngritur tregonte  se të akuzuarit i kishin mbjellë e kultivuar në katin e shtatë të këtij objekti, më konkretisht në katin e fundit të objektit.

    Si u gjetën bimët narkotike në katin e fundit të mullirit në Shirokë të Suharekës

    Më 16 shkurt të vitit të kaluar, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit në këtë objekt ishte zbuluar vendi ku prokuroria pretendon se është bërë kultivimi i këtyre bimëve narkotike, dhe atë saksi-vazo ku ishin mbjellë 2,059 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes.

    Fillimisht, me 4 shkurt 2022, Policia e Kosovës kishte marrë informacionet e para për zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme e pastaj me 14 shkurt janë zhvilluar masat e fshehta, ku është identifikuar lokacioni i laboratorit. Pas këtyre, Gjykata Themelore në Prizren ka lëshuar urdhër kontroll me c’rast të pandehurit janë kapur në flagrancë duke kultivuar lëndë narkotike, e cila me vendim të gjykatës është shkatërruar.

    Prokuroria Speciale në aktakuzën ndaj 7 të dyshuarve pretendon se nga raporti i hyrje- daljeve të kufirit i 3 marsit 2022, është vërtetuar se të pandehurit kanë udhëtuar bashkë dhe nga incizimi i hyrjes së banesës ishin identifikuar të pandehurit dhe disa persona të tjerë duke hyrë në këtë banesë.

    Menjëherë të akuzuarit ishin arrestuar në vendin e ngjarjes, gjatë aksionit. /Reporteri.net/

    Mbi 2 mijë bimë narkotike kultivoheshin në mullirin e Shirokës – si u zbulua laboratori i drogës së “bossit” turk në Suharekë

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!