×
  • Lajme
  • Lajme

    Kujtim Shala nuk pranon, LDK-ja pritet të garojë me Avdullah Hotin në zgjedhje

    Reporteri
    30 Dhjetor 2020 | 13:45

    Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sot në orën 14:00 do të mbledh Kryesinë e partisë ku edhe pritet që të caktohet kandidati për kryeministër për zgjedhjet e parakohshme, data e të cilave do të vendoset menjëherë pasi të publikohet Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses për votën e deputetit Etem Arifi.


    Gazeta Online “Reporteri.net” nga burimet brenda LDK-së mëson se LDK pritet të  kandidojë edhe në zgjedhjet e reja me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti.

    Sipas burimeve kandidatura e tij është thuajse e vendosur, dhe kjo pritet të zyrtarizohet në mbledhjen e sotme, përveç nëse nuk ndodh një befasi e madhe.

    Gjithnjë sipas burimeve kandidatura e Hotit vije pasi që emri i shumëpërfolur për kandidat, Kujtim Shala nuk ka pranuar të sfidojë Albin Kurtin në zgjedhjet e reja.

    Dhe pasi që Shala ka refuzuar, atëherë LDK i ka dhënë “PO” Hotit që të jetë sërish kandidat.

    Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se nuk do të jetë kandidat për kryeministër, por se do të jetë vetëm shef i shtabit zgjedhor të kësaj partie.

    Kujtojmë se zgjedhjet do të mbahen më së largu në tremujorin e parë të vitit që po vjen, kjo për shkak se Gjykata Kushtetuese çoi vendin në zgjedhje pasi qeveria e kryeministrit Hoti, doli të ishte pafuqi juridike. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!