Gjendja e Kullave të Jasharajve është në gjendje të rëndë dhe përfaqësuesit e familjes heroike disa herë kanë thënë se ato po i ruan vetëm Zoti dhe natyra që të mos shemben.
Sot për herë të tretë është formuar Komiteti Ndërministror për përzgjedhjen e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Është Qeveria Kurti që sot ka formuar këtë Komitet, edhe pse një i tillë ishte formuar së pari nga Qeveria Haradinaj e më pas nga Qeveria Hoti, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se qeveria që udhëheq ai ka formuar Komitetin, duke e quajtur një vendim të rëndësisë së veçantë.
“Sot qeveria jonë ka marrur një vendim të rëndësisë së veçantë. Kemi themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Këtë mekanizëm do ta udhëheq personalisht, për ta trajtuar me seriozitetin e merituar këtë proces. Anëtarë të këtij komiteti janë ministra të linjës, përfaqësuesi i familjes Jashari, kryetari i komunës së Skënderajt, drejtorë të instituteve, muzeve dhe agjencive përkatëse, përfaqësuesi i shoqatës së arkitektëve dhe përfaqësuesi i OVL të UÇK-së”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka thënë më tej se një ekip profesionistësh nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur vlerësimin e gjendjes së kullave në këtë kompleks.
“Varësisht nga të gjeturat dhe rekomandimet e profesionistëve tanë, kemi gatishmërinë e plotë të ndërmarrim ndërhyrje emergjente sanuese në këto struktura të neglizhuara për kohë të gjatë. E radhës do të jetë shqyrtimi i detyrimit themelor të këtij komiteti, projekti për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në afatin më të afërt do të mbahet takimi i parë i komitetit për t’i diskutuar dhe votuar vendimet e rëndësishme në emër të mbrojtjes, zhvillimit dhe promovimit të kompleksit i cili përfaqëson epiqendrën e rezistencës sonë kombëtare për liri, pavarësi e bashkim”, ka thënë Kurti.
Siç e cekëm më lartë, Komitet Ndërministror për përzgjedhjen e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz ka pasur që nga viti 2019, por që nga ajo kohë nuk është ndërmarrë asnjë veprim të paktën për vlerësim të Kullave të Jasharajeve, e aq më pak në ndërhyrje për të pamundësuar një rrezik të shembjes, shkruan Reporteri.net.
Më 15 janar 2019, Komiteti u themelua nga Qeveria Haradinaj
Më 15 janar të vitit 2019 ishte Qeverie Haradiaj që miratoi vendimin për themelimin e Komitetit Ndërministror për përzgjedhjen e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Haradinaj atëkohë kishte thënë se emrat që janë në komitet mund të zëvendësohen.
“Përbërja e komitetit është me emra të institucioneve por nëse dikush nuk shkon institucioni në fjalë e ruan emrin që ta zëvendësoj dikë tjetër”, ka thënë ai
Komiteti kryesohej nga Gazmend Syla, atë kohë këshilltar politik i Kryeministrit Haradinaj, dhe në përbërjen e vet kishte anëtarë nga disa ministri, Muzeu i Kosovës, Instituti i Historisë dhe ai Albanologjik si dhe përfaqësuesit e Komunës së Skenderajt, Familjes Jashari dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Edhe Qeveria Hoti themeloi Komitet
Pas Qeverisë Haradinaj, edhe Qeveria Hoti kishte themeluar Komitetin ndërministror për përzgjedhjen e projektit për Kompleksin Memorial, Adem Jashari saktësisht më date 22 korrik të vitit 2020.
Propozimi ishte bërë nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, derisa, ai para ministrave kishte treguar edhe për përbërjen e grupit.
“Shqyrtimi i propozim vendimit, për përzgjedhjen e projektit për kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz. Zyra e kryeministrit për kompleksin memorial propozon që të themelohet Komiteti Ndërministror për përzgjedhjen e projektit në këtë përbërje: Kryesues: Besnik Tahiri, anëtar, ministrja e Kulturës ose zv.ministri, Ministri i Tregtisë, Infrastrukturës, përfaqësues nga familja Jashari, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e komplekseve memoriale, drejtori i muzeut, drejtori i institutit të historisë, drejtori i institutit albanologjik, Bekim Jashari kryetar i Skenderajt, përfaqësues nga shoqata e arkitektëve dhe nga organizata e veteranëve”, kishte thënë ai.
Kujtojmë se kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net” që do të transmetohet këtë të dielë do të flet edhe për gjendjen e kullave në Prekaz.
/Reporteri.net/.