Parlamenti izraelit po përgatitet që nga 1 korriku të nisë ligjërisht aneksimin e territoreve që konsiderohen të vetat, ndërsa për palestinezët, pjesë të shtetit të tyre. Kjo nismë është kundërshtuar me protesta qytetare.
Planet e qeverisë izraelite për të aneksuar disa territore që palestinezët i konsiderojnë pjesë të shtetit të tyre janë pritur me protesta në Izrael.
Mijëra qytetarë, mes tyre palestinezë, demonstruan në kryeqytet duke e dënuar ashpër propozimin që Izraeli ta shtrijë sovranitetin në Cisjordani.
Rajoni që ndodhet në pjesën perëndimore të Lindjes së Mesme u pushtua nga Izraeli në vitin 1967.
Sipas një plani të koordinuar me Uashingtonin, kryeministri Benjamin Netanjahu synon që nga 1 korriku të nisë avancimin në Bregun Perëndimor, duke marrë fillimisht vendbanimet e rreth 400 mijë anëtarëve të komunitetit hebre.
Ato konsiderohen ilegale nga shumë shtete të botës.
“Po protestojmë idenë e aneksimit që nuk i shërben izraelitëve, as palestinezëve, që bllokon zgjidhjen nëpërmjet dy shteteve. Është një trill që i shërben Trump-it, Bibit dhe jo popullit.”
“Jam këtu me mijëra hebrenj dhe arabë që duan një të ardhme me paqe dhe demokraci. Planet e ogurzeza të Netanjahut për aneksim të njëanshëm të territoreve të pushtuara do nxitin luftë të përjetshme duke na kthyer në një shtet aparteid.”
Kombet e Bashkuara thonë se aneksimi i njëanshëm do i mbyllte dyert negociatave dhe përpjekjeve fqinjësore për paqe mes Palestinës dhe Izraelit.
Një plan i propozuar nga presidenti Donald Trump në muajin janar parashikon që në këmbim të njohjes së Palestinës si shtet, të favorizohet territorialisht Izraeli i cili ndër të tjera do të marrë Luginën e Jordanit dhe do ketë për kryeqytet të ri Jerusalemin.
Mosmarrëveshjet mes Izraelit dhe Palestinës vijojnë nga mesi i shekullit të kaluar.
Sondazhet e fundit tregojnë se gjysma e popullit izraelit e përkrah aneksimin e territoreve fqinje.