×
  • Lajme
  • Lajme

    Kuorumi për Vjosa Osmanin, Sami Lushtaku me deklarata ndryshe nga Enver Hoxhaj

    Reporteri
    18 Mars 2021 | 14:31

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka përsëritur edhe sot se deputetët e kësaj partie nuk do të votojnë Vjosa Osmanin për presidente.


    Hoxhaj, sot në një deklaratë për media ka thënë se deputetët e PDK-së nuk  do të qëndrojnë në sallë e as nuk do të votojnë për Vjosa Osmanin për presidente, shrkuan Reporteri.net.

    “Zonja Osmani nuk e reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës, pasi ka qenë figurë polarizuese në raport me qytetarët, por edhe me subjektin e saj politik (LDK) që e ka shndërruar në viktimë. Qëndrimi i PDK-së është super i qartë, nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë. Qëndrimi apo jo në sallë është temë teknike. A qëndron në sallë apo jo, nuk ka kurrfarë vlere, tema është a merr pjesë a jo”, ka thënë Hoxhaj.

    Të njëjtën e ka thënë edhe zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi.

    Me anë të një postimi në Facebook, Bytyqi ka thënë se PDK nuk ka votë për Vjosa Osmanin, e rrjedhimisht as nuk do të marrë pjesë në votim.

    “Kuorumi për kandidatin/en për President/e të vendit përcaktohet nga numri i votave në kuti. PDK nuk ka votë për Vjosa Osmanin e as nuk do të marrë pjesë në votim”, ka shkruar ai.

    Por ndryshe, ka deklaruar sot nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku. Ai ka thënë se Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës do të mblidhet edhe njëherë për të vendosur se a do t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur presidente e Kosovës.

    Lushtaku e ka bërë të qartë se PDK nuk ka votë për Vjosa Osmanin, por është shprehur se ende nuk ka vendim nëse kjo parti do të qëndrojë në sallë për t’ia bërë kuorumin Osmanit për presidente.

    “Të jem i sinqertë dje është diskutuar shumë çka, por ne nuk kemi marrë ndonjë vendim se a do të qëndrojmë në sallë apo jo. Unë besoj që pas takimit që e kemi me Kryesinë e partisë me siguri se kemi me bë të qartë se a do të rrin grupi parlamentar i PDK-së në sallë apo jo”, ka deklaruar Lushtaku për Front Online.

    PDK gjatë ditës së djeshme ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues me orë të tëra ku në këtë takim është vendosur që kjo parti mos t’a votojë Vjosa Osmanin për presidente.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!