×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Kupina përgënjeshtron Ramën: Kur u thirr mbledhja e Kuvendit, nuk kishit dërguar asnjë material për Planin Urbanistik për Kalabrinë

    Reporteri
    14 Maj 2024 | 17:17

    Kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama lidhur me deklaratën e këtij të fundit se ia kishte hequr njëanshëm dy pika nga rendi i ditës i një seance të Kuvendit Komunal të thirrur më 24 maj, “Plani Rregullues i Lagjes Kalabria si dhe Plani Zhvillimor Komunal i Prishtinës”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kupina thotë se që nga dita kur i kishte njoftuar për aftet ligjore për dërgimin e materialeve, e deri ditën e djeshme në ora 16:00, as në formë fizike e as elektronike nuk është dorëzuar asnjë material për Planin Urbanistik për lagjen Kalabria.

    Derisa sa i përket pikës së rendit të ditës për Planin Zhvillimor Komunal, Kupina ka thënë se linku që ishte paraqitur s’ka qenë funksional dhe ka qenë e pamundur qasja e këshilltarëve komunal, dhe ani pse kishin kërkuar nga ana propozuesve funksionalizimin e linkut, një gjë e tillë s’ka ndodhur dhe janë detyruar ta largojnë nga rendi i ditës si pikë.

    Tendenca për viktimizim e Ramës, dhe fajësim të të tjerëve, sipas Kupinës është rezultat i rritjes së presionit qytetarë ndaj dështimit të kryetarit.

    “Ju njoftoj se në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës qysh në mbledhjen e kaluar të Komitetit për Politikë dhe Financa i kam njoftuar anëtarët e ekzekutivit për datat e mbajtjës së mbledhjes së radhës së Kuvendit Komunal. Gjithashtu i kam njoftuar për afatet ligjore për dërgimin e materialeve dhe propozimeve për pika të rendit të ditës. Me përgjegjësi maksimale deklaroi se deri dje në ora 16:00 kur është bërë thirrja për mbledhjen e radhës së Kuvendit Komunal, në zyren e Kryetarit të Kuvendit Komunal, as në formë fizike e as elektronike, nuk është dorëzuar asnjë material për Planin Urbanistik për lagjen Kalabria. Për më tepër, as sot, as tani, nuk kemi asnjë material për këtë çéshtje. Sa i përketë pikës së rendit të ditës për Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), ajo ka qenë pjesë e rendit të ditës në thirrjen për seancë, mirëpo pas verifikimit të marerialit është konstatuar se linku i paraqitur nuk është funksional dhe këshilltarët komunal e kanë të pamundur qasjen në materiale. Kemi kërkuar nga ana e propozuesve funksionalizimin e linkut, por kjo nuk ka ndodhur dhe jemi detyruar ta largojmë si pikë të rendit të ditës”, ka shkruar Kupina në Facebook.

    “Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Statuti i Komunës së Prishtinës janë shumë të qartë: materialet për mbledhje të Kuvendit Komunal duhet dërguar këshilltarëve komunal së paku shtatë ditë pune më herët. Si Kryesues i Kuvendit Komunal jam i obliguar t’i respektoj në përpikëri normat ligjore. Koha e paligjshmërisë në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka mbaruar.

    Tendeca, tashmë e njohur e Kryetarit Rama, për viktimizim dhe fajësim të të tjerëve është rezultat i rritjes së presionit qytetarë ndaj dështimit dhe mos punës së tij. Bllokimi i Kalabrisë për më shumë se dy vite ka vetëm një fajtor dhe ai është Përparim Rama”, ka shkruar tutje Kupina.

    I pari i Prishtinës sot akuzoi kryesusin e Kuvendit për largimin e këtyre dy pikave në këtë seancë të 24 majit.

    Sipas Ramës, kjo përbën shkelje ligjore dhe në mbledhjen e radhës të Komisionit për Politikë dhe Financa do t’i propozojë vetë ai këto dy pika, ndërsa njoftoi se si kryetar do t’i propozoj këto pika që të hyjnë në rend të ditës për seancën e datës 24 maj 2024. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!