Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë ngecur në bisedimet e tyre për ta formuar koalicionin qeverisës.
“Mollë sherri” është bërë pozita e presidentit, për të cilën VV po e paralajmëron LDK-në të heq dorë, në të kundërtën po thotë se vendi do të shkon në zgjedhje, por paria e Isa Mustafës pavarësisht këtij “kërcënimi” deri më tani nuk po lëshon pe.
Ndërsa kanë mbetur edhe tre ditë deri në mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, nuk ka të sigurt nëse kreu i VV-së dhe ai i LDK-së do të takohen për të tentuar ta lidhin marrëveshjen.
Reproteri.net ka kontaktuar me zyrtarë të VV-së, por ata nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë nëse Kurti e Mustafa do të takohen nesër.
Albulena Haxhiu e cila ka fituar sërish postin e deputetes në zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë për Reporteri.net se nuk e di nëse dy liderët do të takohen nesër, por se pritet të ketë një takim mes tyre para se të mbahet seanca konstituive.
“Jo nuk jam në dijeni. Para datës 26 dhjetor duhet me pas ndonjë takim, para seancës konstituive, po presim”, ka deklaruar Haxhiu për Reporteri.net.
Edhe nënkryetarja e VV-së, Fatmir Mulhaxha-Kollçaku e kontaktuar nga Reporteri.net ka thënë se nuk është në dijeni se kur do të takohen Kurti e Mustafa.
“Deri tani nuk ka asgjë të re”, ka thënë ajo.
Ndryshe, në një rrethanë kur nuk ka marrëveshje mes tyre, mund të ketë një “bllokadë” të paparashikueshme institucionale. /Reporteri.net/.