Një ngjarje tragjike ka tronditur vendin, pasi nga shembja e një objekti në fshatin Jabllanicë të Gjakovës mbetën të vdekur tre fëmijë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Një banor i lagjes, Përparim Ademaj ka bërë të ditur se fillimisht ishte kontaktuar nga prindërit e viktimës I.Rama, të cilët i kishin thënë atij se fëmija i tyre kishte që nga ora 16:00 që s’ishte lajmëruar në shtëpi.
Ai tha se është takuar me ta dhe njerëz tjerë të katunit dhe kishin vënë re objektin e shembur. Kur kishin telefonuar fëmijët që po kërkonin, telefonat e tyre ato momente po dridhnin nën plloqën e shembur, ndërsa shtoi se me një traktor i kanë larguar pjesë-pjesë rrënojat dhe i kanë nxjerrë trupat e tre fëmijëve.
“Në telefon më thanë se s’jane lajmëruar nga ora 16:00. U takova me prindërit e fëmijëve. Tu fol me ta e pamë një objekt që është shemb. Duke i thirrë në telefon, i kem dëgju telefonat duke ju dridh nër plloqë. Kemi thirrë kojshitë dhe me një traktor duke i hequr pjesë-pjesë, i kemi nxjerrë pa shenja jete”, tha ai për Syri TV.
Nga pamjet e publikuara del se ngjarja tragjike ka ndodhur në ora 16:35.
Policia ka theksuar se nuk dihen rrethanat e shembjes së objektit.
“Jabllanicë, Gjakovë 01.02.2025-23:00. Raportohet se në rrethana të panjohura është shembur një objekt, dhe si pasoj tre viktimat meshkuj kosovarë të mitur të cilët kanë qenë duke qëndruar brenda saj janë zënë nga pllaka. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimave. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës.
Lidhur me rastin mëngjesin e së dielës ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani e cila ka shprehur ngushëllima për familjet e tre fëmijve.
Në anën tjetër, LDK-ja ka kërkuar hetim të plotë dhe të shpejtë nga organet kompetente për rrethanat e këtij rasti në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.
Edhe PDK-ja ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.
Kreu i AAK-së, sot paradite ishte për ngushëllime te familjet e tre fëmijëve.
/Reporteri.net/