Në një situatë të tensionuar në Cetinje, në ceremoninë e shugurimit të Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije priftërinjtë kënduan një këngë, në tekstin e së cilës thuhej edhe “kur ushtria kthehet në Kosovë”.
Ndërkohë qytetarët vazhduan të protestojnë edhe pse kurorëzimi kishte mbaruar.
Lidhur me këtë këndim kanë ardhur reagimet nga politikanë dhe njohës të sigurisë.
Për ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj forcat e errëta të fashizmit, të udhëhequra nga Kisha Serbe po rikthehen në këtë vend.
Ai me anë të një reagimi në Facebook, ka thënë se kjo këngë është bërë nga Rusia dhe se është interpretuar nga përfaqësuesit e tyre në Mal të Zi.
“Forcat më të errëta të fashizmit, të udhëhequra nga Kisha Serbe po kthehen në Malin e Zi! Kënga për kthimin e ushtrisë serbe u bë nga Rusia dhe u interpretua nga përfaqësuesit e tyre në vend”, ka reaguar Hoxhaj në Twitter.
Ndërsa, për njohësin e sigurisë, Agim Musliu disa klerikë ortodoks, janë kujdestarët e përhershëm të rusofilisë në Ballkanin Perëndimor.
Musliu thotë se Rusia provon që ta destabilizojë Malin e Zi, kurse dhembja e tyre e përhershme është Kosova.
“Serbët, veçmas disa klerikë ortodoks, janë kujdestarët e përhershëm të rusofilisë në Ballkanin Perëndimor. Ata janë pjesë e rrjetit të luftës hibride në këto troje. Këta klerikë, vazhdimisht kanë qenë në shërbim të figurave kriminale, duke u nisur nga Arkani, Karaxhiqi e Mladiqi. Përmes tyre, Rusia provon që ta destabilizojë Malin e Zi, kurse dhembja e tyre e përhershme është Kosova. Një këngë si kjo, tregon për disfatën dhe zhgënjenin e tyre. Ata janë njerëz që iu këndojnë disfatave dhe përmes tyre provojnë që të krijojnë mite. Por bota e sotme, bota moderne, mitologjinë e konsideron art e jo shkencë. Me një fjale, një këngë e tillë është një përrallë”, thotë Musliu.
“Kur ushtria kthehet në Kosovë” – këngë e bërë nga Rusia dhe e interpretuar nga përfaqësuesit e tyre në Mal të Zi