Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ka habitur me një propozim të pazakontë gjatë diskutimeve për fushatën informuese të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor. Ai ka sugjeruar që qytetarët të informohen përmes maskotave dhe madje edhe majmunëve, për të tërhequr më shumë vëmendje.
Ai tha se nuk ka diçka “wow” dhe se po dështojnë në edukim e informim.
“Po jap vërejtjet që unë i kam, që i kam lexu. Krejt kjo çështje më duket se nuk ka marrë, pres njëfarë vijë, a din qysh thojnë jo krejt fytyrat janë karakteristike. Ka naj fytyrë me një vijë shumë karakteristike. Te ne nuk po shoh diçka që themi “wow”, qitu e kemi një mjet, ka mu ba diçka, i pashë tabelat, edhe tekst edhe tabela ka copy paste, gjuha është e mirë. Por ne po dështojmë në edukim dhe informim, nuk e kemi të mirë, kemi diskutu disa herë, unë nuk jam një mjeshtër i informimit, bile s’jam hiç”, tha ai.
Kurteshi madje e përmendi edhe Tik Tok-un, duke thënë se duhet të nxjerren “maskotë” e “majmuna”.
“Një njeri që më ndal më pyet mua, palidhje, s’është palidhje, po unë s’kam lidhje për një process edhe i rrudhi krahët, thom s’di qysh me ta shpjegu, qita njerëz qysh me i mbrri.
Qysh pi thojnë këtij rrjetit social që po lujnë, Tik Tok. Me nxjerrë shembull naj maskotë, naj majmun që e kqyrin njerëzit, mu s’më kqyrin, më kqyrin veç për naj konflikt, me media me diçka mu më kqyrin”, tha ai.