Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se 25 vjet më parë ishin shuar shpresat e politikës serbe për ta zbrazur Kosovën.
Gjatë një fjalimi në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, Kurti ka thënë se atëkohë populli i Kosovës po i përjetonte ditët e fundit të luftës dhe ditët e para të çlirimit.
“Sikur sot një çerek shekulli më parë, më 10 qershor 1999 NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardimeve. Në Nju Jork Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën autorizonte vendosjen e një force ushtarake e civile në Kosovë…Me këtë u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë që plani I tyre i gjenocidit përmes operacionit ‘patkoi’ të kishte të paktën pjesërisht sukses për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas”, ka theksyar Kurti.
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë se përvjetorët si ky ofron një mundësi për të reflektuar për proceset dhe vendimet që i dhanë formë shtetit tonë.
“25 vjet më parë, pikërisht më 12 qershor 1999, Kosova doli nga rrënojat e konfliktit dhe shtypjes, duke hapur një faqe të re, duke dalë në dritën e lirisë dhe të respektit. Ndërsa, jemi bashkë këtu në këtë konferencë kushtuar 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, është thelbësore që të reflektojmë mbi udhëtimin që në solli në këtë moment historik”, është shprehur ai.