×
  • Lajme
  • Lajme / Ngushëllimi i kryeministrit

    Kurti: Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik mbi 45 vjeçarë

    Reporteri
    28 Prill 2024 | 21:40

    Kryeministri Albin Kurti ka shprehur pikëllimin e tij për vdekjen e ish-kryetarit të Pejës Ali Lajçi. 

    Kurti thotë se Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, si nga ata që e njohën dhe punuan me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i Kurtit:

    I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Bacës Ali, politikanit Ali Lajçi!

    I lindur më 3 janar të vitit 1955 në Malaj të Rugovës, Ali Lajçi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij. Emri i Ali Lajçit haset herët, qysh mes emrave të organizatorëve të demonstratave studentore e popullore të vitit 1981, për çka ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim. U lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish më 1993 për përfshirjen e tij në organizime të rezistencës së armatosur.

    Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007. Pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, ku ishte edhe një nga nëshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

    Me Ali Lajçin më ka rënë të njihem dhe të punojmë së bashku sidomos në kohën sa ishte deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës.

    Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, si nga ata që e njohën dhe punuan me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës.

    Ngushëllime familjes Lajçi, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ali Lajçit për vdekjen e tij!

    U kujtoftë gjithmonë!

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!