×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Asnjë zyrtar amerikan s’e thotë se Asociacioni duhet t’jetë në qendër të marrëveshjes me Serbinë

    Reporteri
    19 Maj 2022 | 18:41

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të pranojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe në formën që është, meqë “s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”.

    Kurti ka thënë se asnjë zyrtar amerikan s’thotë se Asociacioni duhet të jetë në qendër të marrëveshjes me Serbinë, duke shtuar se marrëveshja duhet të jetë e përqendruar rreth njohjes reciproke, shkruan Reporteri.net.

    “Asociacioni s’e ka kaluar testin e Gjykatës. Mund të ketë Asocacion, por jo mbi baza etnike. Në mënyrën se si është në frymën si është, jo. Duhet ta keni parasysh se në qendër nuk është Asocacioni, por njohja reciproke. S’e thotë asnjë zyrtar amerikan që Asocacioni duhet të jetë në qendër”, ka deklaruar Kurti për Zërin e Amerikës.

    I pari i Qeverisë ka thënë se Kosova është në rregull në dialogun me Serbinë, por kjo e fundit jo me mohim të Masakrës së Reçakut dhe refuzim të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

    “Kosova s’ka bërë hapa pas [në dialog], por Serbia e cila ka ngelur pas meqë s’i pranon krimet që i ka kryer. Unë jam i gatshëm, Serbia s’është dhe s’ka kurrfarë faji asnjë instancë e shtetit të pavarur të Kosovës”.

    Kurti tha se edhe presidenti Biden e ka formuluar mirë se në qendër duhet të jetë njohja reciproke. Ai gjithashtu shtoi se në të kaluarën Kosova ka bërë koncensione për të marrë njohjen nga Serbia, por se kjo s’ka ndodhur për 10 vjet.

    “Ne dëshirojmë të kemi normalizim dhe dialog për marrëveshje, jo dialog për dialog”.

    Kurti ka folur edhe për vizitën e tij në Amerikë. Ai ka thënë se kjo vizitë ka për qëllim tërheqjen e investimeve nga Amerika dhe shtimin e sigurisë së Kosovës, sidomos nga SHBA.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!