Kryeministri Albin Kurti ka bërë sot një vizitë në Policinë e Kosovës.
Kurti është shoqëruar nga Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ku është pritur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Vizita e Kurtit në Policinë e Kosovës vjen në një kohë kur Kosova, ashtu edhe si gjithë bota po përballet me pandeminë COVID-19. Andaj Kurti në kuadër të masave mbrojtëse policët e Kosovës i ka përshëndetur nga distanca, me dorë në zemër, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka thënë se në këtë situatë mantelbardhët janë heronjtë tanë, por edhe puna e uniformave të kaltra nuk është më pak heroike.
Ai thotë se i ka përgëzuar ata për profesionalizmin dhe përkushtimin në punën e tyre.
Njoftimi i plotë:
Sot gjatë ditës kam vizituar disa prej punonjësve të rendit në Policinë e Kosovës, të cilët janë në vijën e parë të frontit kundër përhapjes së virusit corona, njësoj sikur edhe punonjësit e shëndetësisë.
Bashkë me Xhelal Sveçlën, ushtruesin e detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Rashit Çalajn, drejtorin e Policisë së Kosovës vizituam tre institucione të rendit publik.
Në Qendrën Komunikuese të Policisë së Kosovës pranohen thirrjet nga qytetarët dhe planifikohet përgjigjja e shpejtë për kërkesat, ankesat dhe denoncimet e tyre. Ndërsa në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar projektohet dhe zbatohet plani për kontrollin e hyrje-daljeve në kufi, të cilat tashmë janë shumë të kufizuara për njerëzit, shkaku i pandemisë, por jo edhe për mallrat. Vizita e tretë ishte te Qendra Operative e MPB-së, prej nga mbahet nën monitorim situata e rendit publik në gjithë Kosovën, dhe merren masat për zbatimin e vendimeve qeveritare në situatën e emergjencës shëndetësore të shpallur tashmë nga qeveria.
Në të tre institucionet puna është shtuar, përgjegjësia është më e madhe. Por, falë bashkëpunimit të qytetarëve me policinë dhe qeverinë, gjithçka po menaxhohet në mënyrë shembullore e të suksesshme. Policia ende është duke punuar me orarin 8-orësh dhe me kapacitetet e përgatitjet e saj është duke e përballuar shumë mirë me të gjitha sfidat.
Mantelbardhët janë heronjtë tanë, por edhe puna e uniformave të kaltra nuk është më pak heroike. I përgëzova ata për profesionalizmin dhe përkushtimin, e mora prej tyre miratimin se vendimet e qeverisë e këshillat e profesionistëve po zbatohen.
Së bashku, me qeverisje demokratike e disiplinë qytetare, shkencë e profesionalizëm, do ta mundim virusin, siç kemi mundur më parë edhe të këqija të tjera të mëdha.
https://www.facebook.com/albini2017/posts/829044474262105?__xts__%5B0%5D=68.ARDp5MXter3eEcwOdsu4Xha5veipq6s1folnHvxNADBiu35sud4QEP8hGFyUpfQ7v2I34i5fkZcWOH0JzzRz6EG1ami9zppRaKxxB2lDWjpKOBybNYpxHK0ZGAdnpCiX3e_n2j37c-OyLkrYQc4Iwjq0_K3XTGdrlPZE7m76GQJqscRV1gJA7MTLzgkphEUfaKN6l80NeMOg0LQcm9NdWfuxNDHs0K1Qtnn_RQcqOE8aZ1YmrcouGtC2AXQ9v0LZXoVN5CBVisp0RNkAoX1UxmZtcLopnq_QVHAYre4Wntss_QbWs977azWj1r5tOvvHCAfgTSGJH7KihZXPkt_Mx8o&__tn__=-R