Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmjen e së dielës ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të martirëve në Polac të Skenderajt.
Kurti vendosi buqetë me lule në nderim të 78 viktimave civile të paarmatosura dhe 8 dëshmorëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Gjatë ofensivave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në verën e vitit 1998 mbi fshatrat e Drenicës dhe veçanërisht gjatë fushatave kriminale të forcave të armatosura të Serbisë në vitin 1999, në Polac u vranë 12 persona nga lagjja Kerolli, 11 nga lagjja Kabashi, 11 nga lagjja Veliu, 11 nga lagjja Xani, 8 nga lagjja Koci, 4 nga lagjja Aliuka, 3 nga lagjja Hoti, si dhe nga lagje të tjera” – njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Kurti citrohet të ketë thënë se është shumë e rëndë të mos ketë drejtësi për të vrarët gjatë luftës.
“Është shumë e rëndë, masakra, vrasja e civilëve të paarmatosur, të pambrojtur, përpjekja për t’i zhdukur gjurmët e kufomat, edhe mos të ketë drejtësi. Institucionet e drejtësisë duhet të angazhohen që urdhërdhënësit e ekzekutuesit të akuzohen, të gjykohen e të dënohen qoftë edhe në mungesë. Në njërën anë janë punët hetimore që duhet bërë Prokuroria, ndërsa në anën tjetër është trysnia ndërkombëtare mbi Beogradin për t’i hapur arkivat, sepse nuk janë bërë operacione pa e ditë krerët”, tha Kurti.
Ai ritheksoi se përkujtimi i viktimave dhe dëshmorëve krahas së qenuri obligim moral, është edhe obligim institucional, që të mos lejojmë kurrë që e vërteta të zbehet në harresë.