×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti bën projeksione, se si një koalicion VV-LDK do ta merrte qeverinë, dhe do të mund ta shkarkonte edhe presidentin Thaçi

    Reporteri
    06 Gusht 2019 | 17:12

    Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, sërish ka kërkuar një koalicion parazgjedhor VV-LDK, dhe këtë e ka quajtur edhe fitore pa hyrë fare në zgjedhje.


    Ai ka thënë se VV do të fitojë, por nëse futet në koalicon me LDK’në, këtë fitore do ta kishte të sigurt ende pa u mbajtur zgjedhjet.

    “Koha që u ka mbetur është vonesa që e shkaktojnë. Dikur ajo matej me muaj, tash me javë, e së shpejti veçse me ditë të numërueshme. Ardhmëria kurrë nuk ka qenë më afër. Meqë 22 gushti u la për shpërndarjen e Kuvendit, i bie qe zgjedhjet e reja të jenë me 22 apo 29 shtator, ose 6 tetor. Pra, do të kemi pranverë në vjeshtë. Fitorja jonë në këto zgjedhje e fut shpresën në zemrat e qytetarëve për ta nxjerrë shtetin nga kriza e dështimi. Duhet të fitojmë e do të fitojmë. Mirëpo, kësaj radhe është e mundur që të fitojmë edhe para zgjedhjeve!”, ka thënë Kurti.

    Madje, sipas tij, ky koalicon parazgjedhor, pas zgjedhjeve mund ta merrte në koalicon edhe një parti të vogël, dhe me këtë t’i bënin mbi 80 deputetë, duke i pasur edhe dy të tretat, ku do të mund të merrnin edhe vendime shumë më të mëdha, siç do të ishte edhe shkarkimi i presidentit Thaçi.

    “Po, mund të fitojmë pas zgjedhjeve atëherë kur në natën e raportimeve të komisionerëve nga vendvotimet, ankthi na bëhet festë. Ama mund të fitojmë edhe para zgjedhjeve këtë herë. Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë. Një partner i vogël pas zgjedhjeve do të ishte më shumë se i mjaftueshëm për shumicën absolute të 2/3 dhe gjithsesi i panevojshëm për shumicën e thjeshtë qeveritare”.

    “Pra, mund të fitojmë edhe pa betejë. Mbase më mirë ashtu, sepse betejat e vërteta e të mëdha do t’i kemi pikërisht pas fitores. Sepse menjëherë duhet të ndryshojnë lajmet e mbrëmjes me qeverisjen tonë të re. Jo më skandale qeveritare por luftim i krimit dhe korrupsionit. Jo më emigrim porsi ekzod por punësim pa diskriminim. E kështu me radhë…”, ka shkruar Kurti. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!