×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti bëri homazhe pranë varreve të heronjve Ilir Konushevcit e Hazir Malajt

    Reporteri
    09 Maj 2020 | 12:30

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe këshilltarin e kryeministrit dhe në të njëjtën kohë drejtorin e zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici bënë homazhe pranë varreve të heronjve Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt.


    Në njoftimin e dërguar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj po bënin më shumë se luftë çlirimtare, po e mundësonin luftën çlirimtare.

    “I gjithë shekulli XX-të ishte shekull i rezistencës shqiptare. Ndonjëherë ishte legale, e shpesh ilegale. Kulmi i rezistencës ishte UÇK-ja. Formacioni me të cilin nuk u evitua përballja me armikun. Me UÇK-në, e drejta jonë politike u pajis edhe me forcë për zbatimin e kësaj të drejtë”.

    “Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj ishin ndër të parët. Kushdo që vinte pas tyre e kishte më kollaj. Ata iu rrekën pa pushim maleve që ndajnë fizikisht Kosovën prej Shqipërisë. Ata ishin vetë shpirti i kombit, që lufton gjeografinë e kombit. Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj ishin shumë të vetëdijshëm që epërsia morale dhe njerëzore ishin në anën e shqiptarëve. Atyre iu mungonte armatimi. Prandaj, ata dy jo vetëm që luftuan por edhe punuan për luftën. Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj po bënin më shumë se luftë çlirimtare; po e mundësonin luftën çlirimtare”, thuhet në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!