Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se delegacioni kosovar që po zhvillon bisedime me palën serbe në Uashington është pa legjitimitet dhe i papërgatitur.
Kurti ka thënë se ky delegacion nuk ka përvojë në negociata ndërkombëtare, derisa është shprehur se nuk ka dhe nuk mund të ketë marrëveshje pa fituesin e zgjedhjeve, shkruan Reporteri.
“Pala kosovare nuk ka legjitimitet, autoritet e as përgatitje. Delegacioni nga Kosova nuk ka platformë të aprovuar në Kuvend. Kryeministri Koti mund t’i tradhtojë vetëm ata 25 mijë votues Kuvendi i Kosovës është në pushim sikur në gushtin e vitit 2015 kur u patën nënshkruar marrëveshja për demarkacion. Delegacioni nuk ka platformë të aprovuar në Kuvendin e Republikës. Këta të delegacionit nuk ke as si i quan tradhtarë në të ardhmen. Hoti përkatësisht Koti i tradhton vetëm ata 25 mijë votues”, u shpreh Kurti në një konferencë për media.
Kurti ka kritikuar delegacionin kosovar edhe për numrin e madh të anëtarëve, derisa ka thënë se është i dëmshëm deklarimi se Kosova është e hapur për secilën temë.
Është i dëmshëm deklarimi se jemi të hapur për secilën temë. Disa terma e koncepte mjafton të dëgjohen për të fituar legjitimim fillestar, ka gjëra për të cilat bisedojmë dhe ka gjëra për të cilat nuk bisedojmë. Temat përcaktohen paraprakisht. Edhe mbledhjet e kryesisë së një dege të një partie kanë rend ditë e lëre më negociatat ndërkombëtare. Delegacioni i Kosovës shkoi tri ditë përpara. Ky është turizëm qeveritar me para të popullit. Ky delegacion është shumëfish më i madh sesa nga Serbia. Ky delegacion nuk ka përvojë në negociata ndërkombëtare por vetëm për ato për poste qeveritare. Nuk ka marrëveshje pa fituesin e zgjedhjeve, Kosova nuk ka nevojë për marrëveshje të tjera të paimplementueshme. Jemi të bindur se as qytetarët nuk presin gjë prej tyre. Delegacioni nga Kosova është tërësisht i çorientuar, thonë se po shkojnë për të biseduar për njohje reciproke kur këta tashmë e kanë njohur Serbinë”, u shpreh ai. /Reporteri.net