Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit ka kujtuar 25 vjetorin e Betejës së Koshares.
Në fjalën e tij, Kurti tha se kjo betejë pati rëndësi strategjike, historike e kombëtare, në të cilën morën pjesë luftëtarë nga të gjitha zonat operative të UÇK-së dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti tha se në këtë betejë morën pjesë edhe vullnetarë nga Evropa, derisa në radhët e ushtrisë serbe mercenarë rusë.
“Në mes të këtij viti do të përmbushet një çerekshekull prej kur vendi ynë dhe populli i saj u çliruan nga Serbia pushtuese e regjimi kriminal e terrorist i Beogradit, e deri në mes të muajit qershor, kur do ta shënojmë 25 vjetorin e çlirimit ka shumë data e ngjarje me peshë historike te të cilat do të ndalemi.
Panorama e madhe e historisë së betejës së Koshares përcjell imazhin thuajse të luftës së Kosovë si në një format miniature. Aty e shohim se në luftimet betejës së Koshares janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të UÇK-së si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë. Nga Kuvendi i Kosovës, sot u shprehi mirënjohje të thellë të gjithë luftëtarëve të lirisë që morën pjesë në Betejën e Kosharës”, tha Kurti.
Kur e vizitojmë kompleksin memorial, Beteja e Koshares, e gjejmë edhe Agim Ramadanin nga Zhegra e Gjilanit edhe Sali Çekaj nga Peja. Meqë Beteja e Kosharës ishte betejë e një lufte për liri dhe meqë liria ishte paradigmë universale, në Betejën e Kosharës i gjejmë të rënë dëshmorë edhe Francesco Giuseppe Bider nga Italia, Petra Arnold Piere nga Franca, dhe Murat Muhamet Ali nga Algjeria. Sepse në betejën e Kosharees derisa nga radhët e ushtrisë serbe luftonin edhe mercenarë rusë, në radhët e ushtrisë së UÇK-së luftonin edhe vulnetarë nga Evropa dhe jo vetëm”, shtoi ai. /Reporteri.net/