×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti dhe Osmani presin në takime ndaras një delegacion nga Këshilli Atlantik, temë diskutimi dialogu dhe zhvillimet në rajon

    Reporteri
    06 Prill 2023 | 20:24
    Kryeministri Albin Kurti takon një delegacion nga Këshilli Atlantik

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe Presidentja Vjosa Osmani, kanë pritur sot në takime ndaras një delegacion të ekspertëve të Ballkanit Perëndimore nga organizata Këshilli Atlantik.

    Në komunikatën e Qeverisë thuhet se Kurti e njoftoi këtë delegacion me rezultatet e qeverisjes, me fokus në luftimin e korrupsionit dhe sundim të ligjit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Kryeministri i njoftoi ata me rezultatet e qeverisjes dhe reflektimin e progresit të këtyre dy viteve të qeverisjes në indekset ndërkombëtare ku Kosova është radhitur e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit, sipas World Justice Project dhe sikurse edhe për nga përmirësimi në të drejtat politike dhe liritë civile, sipas Freedom House”, thuhet në komunikatë.

    Në takim u fol edhe për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe për procesin e dialogut.

    “Po ashtu i njoftoi me progresin në ekonomi, rritjen mesatare për rreth 7% në dy vite qeverisje, rritjen e buxhetit dhe të ekonomisë dhe rritjen e eksporteve, duke theksuar se Kosova është dëshmi se demokracia dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krah për krah”.

    “Në takim u bisedua edhe për zhvillimet në Kosovë, rajon dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, përfundon komunikata.

    Këtë delegacion, i udhëhequr nga drejtori i lartë, Jörn Fleck, e priti në zyrën e saj edhe Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

    Ky takim më tepër u fokusua në zhvillimet gjeopolitike në rajon, si dhe çasjen e Kosovës në raport me Serbinë në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut.

    “Duke folur për zhvillimet aktuale gjeopolitik në Evropë, Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë, ndërsa tha se integrimi i plotë i Kosovës në institucionet euroatlantike bashkë me shtete tjera demokratike të rajonit është jetik për të arritur këtë qëllim”, bën të ditur Presidenca.

    “Tutje, Presidentja foli për rolin konstruktiv dhe qasjen proaktive të Kosovës në dialogun me Serbinë, si dhe koordinimin e vazhdueshëm të institucioneve të Republikës me aleatë dhe partnerë ndërkombëtarë. Presidentja ka ritheksuar rëndësinë e mbrojtjes së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe mbrojtjes së funksionalitetit të shtetit në çdo hap”, thuhet tutje.

    Kujtojmë se po të njëjtin delegacion e priti sot në takim edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. /Reporteri.net/.

    Memli Krasniqi pret në selinë e PDK-së një delegacion të gjerë të Këshillit Atlantik në SHBA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!