×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti dhe tre vartës të tij i harxhuan mbi 15 mijë Euro vetëm për akomodim në SHBA, këto janë hotelet ku ata qëndruan

    Reporteri
    28 Qershor 2022 | 18:30
    Pamje e një dhome e hotelit "Westin Hotels & Resorts" në San Francisco, CA - hotel ku del se u akomoduan delegacioni i Kosovës, i prirë nga Kryeministri Kurti, gjatë vizitës në SHBA

    Nga mbi 36 mijë Euro sa janë shpenzuar në total për vizitën në SHBA, Kryeministri Kurti dhe delegacioni i tij gjashtë anëtarësh 15 mijë e 107 Euro i shpenzuan për akomodim në hotele.

    4853.68 Euro, sipas të dhënave që i ka përcjellë Zyra e Kryeministrit të Kosovës tek Gazeta Online Reporteri.net, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, del se kanë shkuar vetëm për akomodimin e Kryeministrit Kurti në SHBA, gjatë vizitës 18 ditore gjatë majit të këtij viti.

    4770.97 Euro tjera del se kanë shkuar për akomodimin e shefit të stafit të Kryeministrit Kurti, Luan Dalipin. Derisa, pak më pak, 4324.67 Euro janë shpenzuar për akomodimin e fotografit të kryeministrit, Patrik Domi, i cili e shoqëri Kurtin gjatë udhëtimit përtej oqeanit Atlantik. E 1158.31 Euro tjera nga buxheti i shtetit u dhanë për ta akomoduar në hotele Lulzon Jagxhiun, që si këshilltar i Kryeministrit e shoqëroi gjithashtu Kurtin në SHBA.

    Të dhënat e ZKM-së tregojnë se gjatë qëndrimit në SHBA, edhe pse ishin si pjesë e delegacionit të Kurtit, nuk raportohen të kenë patur shpenzime për akomodim dy këshilltarët amerikan të kryeministrit, Tien Mu dhe Arun Singh Chaudhary.

    Rrjedhimisht, të dhënat tregojnë se 15 mijë e 107 Euro del të ketë kushtuar akomodimi i vetëm 4 anëtarëve të delegacionit të Kosovës në SHBA, i prirë nga Kryeministri Albin Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në faturat e bashkangjitura del se Kurti, Dalipi, Jagxhiu, dhe Domi, u akomoduan në hotele të ndryshme. Nga ata më luksoz, si Westin Hotels & Resorts që janë në pronësi të rrjetit Marriot, deri tek Embessy Suites by Hilton dhe Homewood Suites by Hilton si dhe ai The Shelburne Sonesta që ofron pamjen e jashtëzakonshme të New York-ut.

    Ndryshe, mbi 36 mijë Euro në total i ka kushtuar buxhetit të shtetit vizita e Kryeministrit Albin Kurti dhe 5 zyrtarëve të tjerë të Qeverisë në SHBA. Nga to, 9 mijë e 304 Euro e 80 centë harxhime janë bërë vetëm për shefin e ekzekutivit për akomodim, bileta të udhëtimit dhe shpenzimet tjera. Kurti, por edhe tre përcjellës të tij hoqën dorë nga mëditjet gjatë këtij udhëtimi, për dallim nga shefi i stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, dhe fotografi Patrik Domi që i morën mbi 3 mijë e 500 Euro, në total, mëditje.

    Sipas të dhënave që i ka ofruar ZKM-ja tek Gazeta Online Reporteri.net, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike rezulton se 4,279.00 Euro Kurtit i shkuan vetëm për bileta udhëtimi, kurse 4,853.68 Euro tjera për akomodim. Derisa, Kryeministri kosovar, në SHBA, shpenzoi vetëm 172 Euro e 12 centë për shpenzime tjera, duke hequr dorë edhe nga mëditjet. /Reporteri.net/.

    Kurti vet i gjashti i shpenzoi mbi 36 mijë Euro për “vizitën zyrtare” në SHBA

    Vetëm fotografi i Kurtit i shpenzoi mbi 9 mijë Euro në SHBA, 109 Euro më shumë se Kryeministri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!