×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e Mustafa dje paralajmëruan Thaçin e Haradinajn kundër emërimit të shefit të AKI-së

    Reporteri
    25 Nëntor 2019 | 16:08

    Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në ditët e tij të fundit si shef qeverie së bashku me presidentin Hashim Thaçi, mori vendim për emërimin e kryespiunit të AKI-së, e të inspektorit të përgjithshëm.


    Për emërimet në këto pozita, patën paralajmëruar ditë më parë kreu i VV-së, Albin Kurti e Isa Mustafa, lideri i LDK-së.

    Një ditë para përfundimit të afatit ligjor prej 20 ditësh, prej kur pozita e shefit të AKI-së mbeti e lirë, kryeministri Haradinaj së bashku me presidentin Thaçi, kanë emëruar në atë pozitë, Kreshnik Gashin, derisa si Inspektor të Përgjithshëm, Burim Ramadanin.

    Pak ditë pasi që kjo pozitë kishte mbetur e lirë, pas dorëheqjes së befasishme të Shpend Maxhunit, kreu i VV-së, Albin Kurti i bëri me dije kryeministrit në detyrë se shefi i ri i AKI-së do të emërohet nga qeveria e re.

    Kurti përmes një postimi në Facebook, tha se vendimi për të parin e institucionit më të lartë të sigurisë në vend i takon kryekëput qeverisë së re.

    “Qeveria në ikje posaçërisht duhet të jetë e përmbajtur kur bëhet fjalë për emërime të ndjeshme si ato në Noteri, Gjyqësi, Diplomaci, Siguri publike apo AKI. Këto vendime i takojnë kryekëput qeverisë së re, pasi të ketë përfunduar skanimi i gjendjes ekzistuese dhe identifikimi i pengesave në operimin e suksesshëm të secilës prej tyre”, ka shkruar Kurti.

    Edhe kreu i LDK’së, Isa Mustafa ka deklaruar para një jave se shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës duhet të zgjidhet nga kryeministri i ardhshëm.

    “Ligji parasheh afatet. Por mendoj se do duhej të gjendet një zgjidhje kalimtare e cila siguron që kryeministri i ardhshëm së bashku me presidentin të zgjedhin drejtorin e ri”, kishte deklaruar Mustafa.

    Thaçi e Haradinaj vendosën njerëzit e tyre në AKI, Kreshnik Gashin si kryespiun, kurse Burim Ramadanin si inspektor të përgjithshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!