Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe Kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, i kanë prerë shiritin dje një çerdhje në këtë komunë. Nagavci e prezantoi këtë si çerdhen e pestë gjatë këtij mandati në këtë komunë, ndonëse ky objekt ka funksionuar edhe më parë si institucion parashkollor.
Gazetarja e Reporteri.net, Leonora Kolukaj, ka qëndruar në Shtime, ku është takuar me Kimete Hoxhën, e cila thotë se ka menaxhuar me këtë institucion për 9 vite. Ajo thotë se në vitin 2021 ka dorëzuar çelësat e këtij instititucioni, e që thotë se pastaj është lënë në mëshirë të fatit.
Sipas saj, sikur kjo çerdhe, edhe institucione të tjera janë lënë të demolohet dhe se pastaj vetëm po i gëlqerosin dhe po i prezantojnë si suksese të tyre.
“Institucioni ka funksionu prej vitit 2012. Objekti ka funksionu deri në nëntor të vitit 2021. Unë e kam menaxhu dhe kam qenë drejtoreshë në atë institucion. U çudita kur e pash që është përuruar si objekt i ri. Objekti në fjalë, në vitin 2021 që i kam dorëzu çelësat, është lënë më mëshirë të fatit, i keni edhe fotografitë qysh është demolu gjithçka, me lodra, me objekt e me të gjitha. Pastaj qeverisja komunale e ka gëlqeros, i kanë ba disa ndërhyrje të vogla edhe e kanë përuru si objekt të ri. Faktikisht, ai është rifunksionalizu”, ka deklaruar Hoxha.
Hoxha e ka cilësuar këtë si manipulim me qytetarët.
“Është një zingjir i njerëzve që udhëheqin me komunë, me shtetin që manipulojnë me qytetarët. Katastrofë mundem me thanë”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka pasur kritika sidomos për Nagavcin.
“Shumicën e institucioneve, këta i kanë lanë me u demolu, pastaj po i gëlqerosin edhe po i përurojnë si objekte, si suksese të tyre. Nuk është mirë mendoj, sidomos Ministrja e Arsimit me u thirr në suksese të tjerëve. Ministrja është mirë me pas njohuri bazike për konceptet në arsim sepse gjithmonë iu referohet si çerdhe. Çerdhe nënkupton 0-9 muaj e deri në 3 vjet, kopsht nënkupton përfshirjen prej 3 deri në 6 vjet, e institucion parashkollor është kur i ka të ndërlidhura të dy këto grupmosha në institucion. Ka mungesë të njohurive bazike si funksionon arsimi”, ka thënë ajo.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka qenë i paqasshëm në telefon, kur është kontaktuar lidhur me këtë çështje./Reporteri.net