×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e Osmani takohen me senatorë amerikanë në Konferencën e Mynihut

    Reporteri
    18 Shkurt 2023 | 16:13

    Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti janë duke marrë pjesë në Konferencën për Siguri që po mbahet në Mynih të Gjermanisë ku prezentë janë edhe shumë liderë botërorë.

    Në takime të ndara, Osmani e Kurti takuan senatoren amerikane Jeanne Shaheen, me të cilët diskutuan për marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

    “Kënaqësi ta takoja Senatoren Shaheen në Konferencën e Sigurisë në Mynih. E falënderova për angazhimin dhe mbështetjen për Republikën e Kosovës. Vendosmëria jonë për të thelluar më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë strategjik është bërë më e fortë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    Pos Shaheen, Kurti u takua edhe me senatorin Chris Van Hollen. Ai tha se me senatorët foli për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe dialogun.

    “Takimi i shkëlqyer me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen, në të cilin rikonfirmuam lidhjen e fortë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Biseduam për progresin e Kosovës në sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar Kurti.

    Osmani po ashtu takoi senatorin nga New Jersey, Bob Menendez, të cilin e falënderoi për mbështetjen ndaj Kosovës.

    “E falënderova për mbështetjen e palëkundur për Republikën e Kosovës dhe përkushtimin për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe”, ka shkruar Osmani.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!