×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e pranon se u kërcënua në rrjetet sociale, thotë se nuk ndihet i rrezikuar

    Reporteri
    28 Tetor 2021 | 11:02

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për kërcënimet që ka marrë, për çka shtëpia e tij është ruajtur mbrëmë nga forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

    Kurti ka thënë se nuk ndihet i rrezikuar nga këto kërcënime, derisa është shprehur se agjenda e tij mbetet e njëjtë, dhe për asnjë moment nuk e ka ndryshuar, as dje, e as sot.

    Kurti tërthorazi ka pranuar se kërcënimet ndaj tij kanë ardhur në rrjete sociale, derisa nuk ka dhënë më shumë detaje, shkruan Reporteri.net.

    “Së pari unë nuk ndjehem i rrezikuar, mirëpo janë organet e sigurisë ato të cilat i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara. Përndryshe unë as dje as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time. Organet sigurisë janë mekanizmat e shtetit që bëjnë vlerësimin kur ngjajnë kërcënime në rrjete sociale të cilat unë nuk kam mundësi t’i ndjek. Fizikisht është e pamundur për mua të merrem me kërcënime ndaj fizikut tim”, u shpreh Kurti para mediave.

    Ndryshe, Gazeta Reporteri.net ka siguruar mbrëmë një shpallje të bërë në rrjetin social Facebook, ku ofrohen 50 mijë euro për këdo që e vret kryeministrin Kurti.

    ”Postimi është fshirë nga platforma, pasi është vënë në pah nga organet e sigurisë.

    Në atë postim, thuhet se “Kurti duhet të vritet”, ndërsa si arsye përmendet rritja e çmimeve për produktet esenciale.

    Një kërcënim të tillë e kanë marrë seriozisht organet e sigurisë.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!