Pas problemeve me energji elektrike në vend, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo krizë nuk është risi as për Kosovën pasi një gjë e tillë po u ndodh edhe shteteve më të fuqishme në botë.
Në një konferencë për media, Kurti shtoi se kapacitetet janë të pamjaftueshme dhe Kosova varet nga importet për të mbajtur dritat ndezur tërë kohës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Ne kemi pasur fatin që kemi mundur të mbulojmë një sasi të konsiderueshme të kërkesës së brendshme. Një pjesë tjetër mbulohet përmes burimeve të ripërtritshme…Kapacitetet janë të pamjaftueshme dhe Kosova varet nga importet për të mbajtur dritat ndezur gjatë gjithë kohës”, tha Kurti.
Ai shtoi se është e rëndësishme që tani të kursehet energjia elektrike maksimalisht.
Kreu i Ekezkutivit po ashtu dha kritika edhe për Qeveritë e kaluara, që sipas tij kanë lënë termocentralet e Kosovës në këtë gjendje.
“Po vuajmë pasojat e vendimeve të këqija po edhe të mungesës së vizionit për dy dekada.. sepse nuk u bën riparimet të qëndrueshme në termocentralet tona. Shtetin e kemi gjetur për toke, por së bashku do ta ngrisim në këmbë. Ata që na sollën në këtë ditë le të na kursejnë nga leksionet, e të skuqen nga gjendja që na lanë shtetin”, tha Kurti. /Reporteri.net/