×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti falënderon deputetët për votimin e buxhetit 2022: Na priftë e mbara

    Reporteri
    17 Dhjetor 2021 | 21:13

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022.

    Kryeministri i vendit Albin Kurti ka falënderuar të gjithë deputetët për votimin e buxhetit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai ka thënë se ky buxhet do të jetë i zhvillimit, mirëqenies e solidaritetit.

    “Falënderoj të gjithë deputetët që votuan buxhetin e Qeverisë sonë për vitin 2022.
    Ky do të jetë buxhet i zhvillimit sepse me 40 milionë euro do të mbështesim prodhuesit vendorë, me 40 milionë euro tjera do të mbështesim ringritjen e ndërmarrjeve publike si Trepça e Telekomi, 70 milionë euro për bujqësinë, kurse për punësimin e garantuar për të rinjtë kemi ndarë edhe 20 milionë euro. Krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i koduar edhe në këtë buxhet. Ky do të jetë buxhet i mirëqenies dhe solidaritetit sepse kemi ndarë 45 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, sepse kemi ndarë edhe 35 milionë euro për t’u siguruar se asnjë pension nuk mbetet nën 100 euro, dhe secilës familje në asistencë sociale shtesa prej 30% i bëhet e përhershme”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Kreu i Ekzekutivit ka thënë po ashtu se ky është buxhet i investimeve “sepse me mbi 700 milionë euro do të investojmë në arsim e shëndetësi, kulturë e sport, infrastrukturë e siguri”.

    “Na priftë e mbara!”, ka shkruar ai.

    Miratimi u bë në një seancë të jashtëzakonshme, me 65 vota pro, ndërsa u kundërshtua nga opozita. Buxheti për vitin e ardhshëm është 2.7 miliardë euro.

    Në lexim të dytë buxhetit iu shtuan mbi 80 amendamente./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!