×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti flet mbi mundësinë për sulm nga Serbia: Edhe pse Kosova s’është në NATO, NATO është në Kosovë

    Reporteri
    20 Shkurt 2023 | 22:42
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistë për mediumin France24

    Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka komentuar agresionin rus në Ukrainë, që, sipas tij, ka ndikuar edhe në Kosovë.

    Kurti tha se, pas pushtimit rus, Serbia është bërë më agresive ndaj Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai tha se aktualisht përreth Kosovës ekzistojnë 48 baza operative, disa prej tyre ushtarë të grupit Wagner të Rusisë, e të tjera të “Ujqërve të Natës”.

    “Serbia është bërë më agresive ndaj Kosovës pas pushtimit rus [në Ukrainë]. 48 baza operative janë përreth Kosovës, prej tyre 28 baza ushtarake e 20 xhandarmëri, ku janë parë mercenarë të Ëagnerit dhe Ujqërit e Natës”, deklaroi Kurti në intervistë për “France 24”.

    I pyetur nga gazetari nëse ekziston ndonjë rrezik për sulm nga Serbia, Kurti tha se është e mundur.

    “Paj, është e mundur. Ne jemi vigjilentë, jo të frikësuar. Por nuk mund ta përjashtojmë këtë”, tha ai.

    Edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, së fundmi ka thënë se mercenarët e Wagner po ndihmojnë Serbinë të përgatisë një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.

    Osmani paralajmëroi se mercenarët nga grupi famëkeq Wagner i Rusisë po punojnë me paramilitarët serbë për të futur armë dhe uniforma ushtarake në Kosovë.

    Sipas Osmanit, synimi është “pikërisht” i njëjtë me atë të përdorur nga Vladimir Putin në Krime nëntë vjet më parë, shkruan Reporteri.net.

    Sidoqoftë, kryeministri theksoi se Kosova nuk është pa mbështetje.

    “Edhe pse Kosova nuk është në NATO, NATO është në Kosovë dhe unë kam rritur investimet në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha ai. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!