Qeveria e Kosovës dje ka vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ja shkruar për këtë vendim të Qeverise, që ai thotë se është i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe për sigurinë e paqen ndërkombëtare, shkruan Reporteri.net.
“Republika jonë është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, në raport me situatën atje, e në përputhje me paketën e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe ShBA, vendosëm sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Vendosëm masa kufizuese edhe ndaj Grupit Wagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi”, shkruan Kurti ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Në mbledhjen e 78 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuam vendime të rëndësishme për Republikën dhe për sigurinë e paqen ndërkombëtare.
Republika jonë është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, në raport me situatën atje, e në përputhje me paketën e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe ShBA, vendosëm sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Vendosëm masa kufizuese edhe ndaj Grupit Wagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi.
Me qëllim të mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, vendosëm masa restriktive për terrorizëm ndaj ISIL (Da’esh), Al-Qaeda dhe personave fizikë dhe juridikë, subjekteve ose strukturave tjera të lidhura me to.
Duke marrë parasysh nevojën për krijimin e mekanizmave sa me efikas, miratuam Projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara.
Po ashtu, plotësuam Programin Legjislativ për vitin 2022 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Miratuam nismën për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Arkivave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit.
I hapëm udhë bashkëfinancimit të bursave të arsimit të lartë në nivelin master me miratimin e nismës për marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës.