Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka shkruar pas mbledhjes së kabinetit të tij të mbajtur sot, ndonëse vetëm një ditë më parë tha se ka dhënë dorëheqje.
Kurti e quajti kabinetin e tij si “Qeveri në krye të detyrës”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai ka treguar vendime që u mbajtën në mbledhjen e 258 të kabinetit të tij.
Postimi i plotë:
Si qeveri në detyrë dhe kabinet qeveritar në krye të detyrës, sot mbajtëm mbledhjen e 258-të ku morëm gjithsej 14 vendime. Ndër to:
-Emëruam Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Kompania Rajonale Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A” Prizren;
-Aprovuam në parim kërkesën për huamarrje në vlerë prej 10 milionë euro për Telekomin e Kosovës;
-Themeluam grupet koordinuese dhe intervenuese për Ariun e murrmë, Rrëqebullin Ballkanik si dhe Ujkun;
-Rialokuam 147 mijë euro për dy projekte kapitale: “Parku i Aventurave” në Kamenicë; dhe “Ndërtimi i rrugës Dragancë e re dhe Dragancë e vjetër”, në Novobërdë;
-Bartëm të drejtën e shfrytëzimit të ngastrës te Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, me qëllim të ndërtimit të Monumentit të Dëshmorëve të rënë më 17 korrik 1998, te vendi “Rrasa e Zogut”, në Bjeshkët e Junikut.;
-Miratuam Planin e Veprimit 2025-2026 për zbatimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Republikën e Kosovës, 2022-2026.
Gjithashtu miratuam tre vendime përfundimtare për shpronësim për interesin publik për tri projekte:
– Varrezat e fshatit dhe fusha sportive në Dobërçan të Gjilanit;
– Çerdhja e fëmijëve, hapësira gjelbëruese dhe infrastruktura rrugore në Gjilan; dhe,
– Zgjerimi i rrugës nacionale N2 segmenti “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”.