×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti fton deputetët që ta votojnë buxhetin 2025: Do të përfitojnë bizneset dhe ekonomia

    Reporteri
    11 Nëntor 2024 | 11:35

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë buxhetin për vitin 2025, raporton gazeta online Reporteri.net. 

    Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Kurti deklaroi se me këtë buxhet familja shihet si tërësi dhe njësi, derisa përfitime do të kenë edhe bizneset e ekonomia.

    Madje sipas kryeministrit, me këtë buxhet do të jetë prioritet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.

    “Me këtë buxhet, përfitojnë edhe bizneset edhe ekonomia. Së pari përfitojnë nga rritja e fuqisë blerëse të familjes. Nga 12 miliardë euro sa ishte para qeverisë tonë për vitin 2024 pritet të kalojë 24 miliardë qarkullim. Ky buxhet parasheh mbështetje të buxheteve edhe për qasje në financa. Kjo mbështetje vjen si vijim i mbështetjes së realizuar gjatë viteve që lamë pas. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme afatmesme pritet të vijë nga konsumi. Konsumi do të rritet nga rritja e pensioneve, rritja e shtesave të fëmijëve jo çfarëdo rritje, rritja e koeficientit për të gjithë të punësuarit, si dhe rritja e pagës minimale që ndodh pas më shumë se një dekadë stagnimi. Me këtë buxhet e kemi prioritet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ju ftoj edhe ta votoni buxhetin 2025”, ka thënë ai.

    Tutje, Kurti tha se buxheti i Kosovës gjatë qeverisjes së tij, është rritur vit pas viti duke mos ndryshuar asnjë politikë tatimore.

    “Duke e bërë vit pas viti rritje edhe buxheti pa ndryshuar asnjë politikë tatimore. Sepse, investimi në qytetarët tanë vazhdonte të kthente rritje të qëndrueshme”, deklaroi Kurti.

    Projektbuxhetin në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, Qeveria e Kosovës e miratoi më 30 tetor.

    Vlera e tij është për 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024 prej 3.3 miliardë eurosh.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!