×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata

    Kurti i ftoi për takim Abdixhikun dhe Krasniqin, nga LDK-ja s’do t’i shkojë askush

    Reporteri
    30 Prill 2025 | 17:17

    Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka ftuar për takim kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun dhe atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kransiqi te enjten në ora 08:30.

    Ftesën për takim e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

    Ai ka thënë se çështja e Kryeparlamentarit kërkon shumicën politike, e për këtë LDK-ja veçse ka dhënë qëndrimin e saj.

    “Ka ftesë. Kryetari nuk është në Kosovë. Çështja e Kryetarit te Kuvendit, është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. Për këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim”, ka thënë Mustafa për Reporteri.net.

    I pyetur nëse do të shkojë dikush tjetër nga LDK-ja në këtë takim, Mustafa është përgjigjur shkurt “askush”.

    Kjo ftesë për takim vie pak orë para vazhdimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës që dështoi për të tetën herë.

    Në seancën e 29 prillit, VV ka propozuar sërish Albulena Haxhiun për Kryeparlamentare, e cila s’mori votat e mjaftueshme, madje për dallim nga seancat e kaluara që pati marrë 57 vota, kësaj radhe ajo mori veç 54.

    Në këtë votim, 44 vota ishin kundër dhe tri abstenime, deri në sallë ishin të pranishëm 110 deputetë.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!