×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti i gatshëm për marrëveshje me Serbinë: Shpresoj ta nënshkruajmë në Ohër

    Reporteri
    10 Mars 2023 | 22:39
    Kryeministri Albin Kurti

    Para takimit të radhës të rëndësishëm në Ohër, në kuadër të procesit të dialogut, Kurti ka theksuar se ai është i gatshëm që ta nënshkruajë marrëveshjen.

    Në intervistë për Euroactiv, kreu i ekzekutivit tha se marrëveshja do duhej nënshkruar në takimin e fundit në Bruksel, por që kjo nuk ndodhi shkaku i refuzimit nga pala tjetër [Serbia], shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Marrëveshjen është dashur ta nënshkruajmë më 27 shkurt. Fatkeqësisht, presidenti i Serbisë nuk deshi. Për këtë qëllim, ky traktat bazë që është propozuar nga 27 vendet e BE-së, është bazë për të ecur përpara dhe shpresojmë ta arrijmë më në fund më 18 mars”, është shprehur Kurti.

    Ai tha se është koha që raportet mes Kosovës dhe Serbisë të normalizohen, ndaj shtoi se marrëveshja duhet nënshkruar përfundimisht më 18 mars.

    “Kosova është një vend normal, por nuk ka marrëdhënie normale me Serbinë. Në këto dy vjetet e fundit kemi pasur një progres të paprecedentë ekonomik dhe demokratik në vendin tonë, gjë që na vendos në drejtim të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut dhe rritjes në krye të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, unë e pranoj se ne duhet të normalizojmë marrëdhëniet dhe për këtë qëllim, ky traktat bazë që është propozuar nga BE-ja, është një terren i fortë për të ecur përpara dhe shpresojmë ta arrijmë përfundimisht në 18 mars”, tha kryeministri Kurti.

    Kujtojmë se 18 marsi është data kur Kurti dhe Vuçiq, nën ndërmjetësimin e emisarit Miroslav Lajçak dhe Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, do të takohen në Ohër, Maqedoni e Veriut.

    Nga ky takim pritet që të nënshkruhet zyrtarisht marrëveshja e dakorduar në Bruksel.

    Emisari Lajçak ka deklaruar se data 18 mars nuk është zgjedhur rastësisht, pasi dy ditë më vonë do të mblidhen ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, ndërsa më 23, 24 dhe 25 mars, do të ketë një takim mes liderëve evropianë. Në këto takime, Borrell pritet që të raportojë mbi progresin e arritur në dialog. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!