×
  • Lajme
  • Lajme / Refuzimi për koalicion

    Kurti i lëshon vartësit në sulm ndaj LDK’së

    Reporteri
    06 Maj 2025 | 16:33

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar sot ftesën e kreut të Vetëvendosjes, njëherit kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për koalicion. Pas refuzimit, vartësit e Kurtit janë lëshuar në sulme ndaj LDK’së, shkruan Reporteri.net

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur me “Jo” ftesës së kreut të VV’së, Albin Kurtit, për koalicion.

    Në një konferencë për media, Abdixhiku shpalosi qëndrimin e partisë së tij për ofertën e Kurtit, teksa doli me një propozim për krijimin e një qeverie siç tha ai unifikuese, që përfshinë në Qeveri tranzicioni të gjitha partitë shqiptare, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, vitin që vjen. Për këtë propozim, Abdixhiku tha se është i gatshëm të takohet me të gjitha partitë shqiptare, përfshirë edhe VV’në.

    Deputeti Armend Muja ka reaguar pas refuzimit nga Abdixhiku dhe propozimit të tij, duke thënë se humbësi nuk i dërgon ftesa fituesit.

    “LDK ka dalur e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit me 20 deputetë. Ajo duhet të rritet për 20% që ta mbërrijë PDK-në (24 deputetë) e cila është sa gjysma e fituesit të zgjedhjeve LVV (48 deputetë). Humbësi nuk i dërgon ftesa fituesit. Prandaj edhe vetëm Ramush Haradinaj i është përgjigjur Lumir Abdixhikut”, ka shkruar Muja.

    Akuza më të rënda ka drejtuar deputeti Adnan Rrustemi, i cili ka thënë se LDK është e kapur nga të gjitha anët.

    “Kot se kot. E pamundur që LDK të jetojë pa PDK-në. Ani Qeveri tranzicioni, nga vendi i tretë e kundër partisë së parë që e vetme ka fituar pothuajse sa të tria bashkë. LDK është e kapur nga të katër anët. Nga oligarkët që e kanë financuar e ia shkruajnë statuset e ia trasojnë qëndrimet e deri tek PDK pa të cilën nuk po mundet”, ka shkruar Rrustemi.

    Edhe deputeti tjetër i VV’së, Dimal Basha, ka vazhduar sulmet ndaj partisë së Abdixhikut.

    “Ne i ofrojmë, hajde vazhdojmë bashkë me një qeveri stabile me 76 deputetë, ky thotë, “jaaa s’mundem pa PDK-në e AAK-në!” Kryeministri e zgjati dorën e bashkëpunimit, dhe Lumiri zgjedhi me refuzu! Ai po propozon të vjetrën me e mbajtë ende gjallë. Ajo është e pamundur, por edhe e papranueshme. Ti vazhdo me ta, ne jo!”, ka shkruar Basha.

    Ndryshe, Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka dërguar letër kreut të VV-së, Albin Kurtit, si përgjigje ndaj letrës së Kurtit që ia dërgoi dje, ku i kërkoi bashkëpunim në qeverisje. Në letër Abdixhiku ka refuzuar një koalicion mes dy partive.

    Në këtë letër, Abdixhiku ka kërkuar që të bëhet një qeveri e tranzicionit dhe i ka përmendur arsyet përse nuk mund të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje.

    “LDK zgjidhjen dhe daljen nga kjo bllokadë e vlerëson si urgjente dhe të rëndësisë nacionale. Zgjidhja kërkon përgjegjshmëri, unitet dhe vetëdije të lartë politike nacionale në lidhje me rrethanat politike në vend dhe në skenën ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

    Mungesa e besimit e rrezikimi i aleancave dhe demokracisë, janë disa prej arsyeve përse nuk mund të bëhet bashkëpunimi mes dy partive.

    “I nxitur nga konsiderata për votuesit tuaj, qytetarët e Republikës së Kosovës, ndjej nevojën që edhe nëpërmjet kësaj letre t’i përsërisë qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet që keni ngritur ju. Lidhja Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit ka garuar me një program të qartë dhe me qëndrime të qarta sa i takon bashkëpunimit politik. LDK-ja për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin 4 vjeçar të vendit nën udhëheqjen tuaj, rrezikimin e aleancave strategjike, të sigurisë nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, mosrespektimin e vendimeve të këtyre institucioneve, mbi të gjitha polarizimin e thellë shoqëror, e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me ju.”, thuhet në letrën e Abdixhikut./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!