×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Vendimi i sotëm i SHBA-së ndaj Veselinoviqit vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë javë më parë në veri

    Reporteri
    08 Dhjetor 2021 | 22:03

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj bandave kriminale serbe të cilët vepronin në veri të Kosovës dhe më gjerë.

    Kurti, përmes një postimi në Facebook, theksoi se është shumë i mirëseardhur vendimi i SHBA-ve për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksioneve ndaj Zvonko Veselinoviq dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës.

    “Shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinovic dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës. Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve”, tha Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Tutje, Kurti shtoi se vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

    “Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, shtoi Kurti.
    I pari i Ekzekutivit theksoi se krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare.

    “Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, përfundoi ai.

    Sot, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë nga 24 entite në disa shtete të evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!